Askush të mos e mohojë Masakrën e Reçakut, ka porositur Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai ka thënë se masakra që ndodhi në Reçak ishte akt vrasës i qëllimshëm që pati synim mbjelljen e frikës te shqiptarët, kur përmendi përpjekjet e Serbisë për ta minimizuar faktet rreth masakrës atje.
“Askush të mos harrojë apo mohojë se çfarë ndodhi këtu ose pse SHBA-ja dhe aleatët tanë u ngritën në mbrojtje të popullit të Kosovës. Në përgjigje të këtyre mizorive, SHBA-ja në bashkëpunim me aleatët e NATO-s vepruan në mbrojtje të civilëve të pambrojtur në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit. Këto qëllime i përfaqësojnë thellësisht vlerat amerikane dhe perëndimore. Ne besojmë që të gjithë popujt pa dallim etnie apo feje meritojnë të jetojnë në liri”.
“Jemi të vetëdijshëm për përpjekjet për të rishkruar historinë e dokumentuar mirë të Masakrës së Reçakut dhe për të minimizuar apo keqinterpretuar faktet rreth këtyre mizorive, dëshiroj të jem i qartë siç ka thënë presidenti Clinton atëherë dhe e vërtetojmë sërish tani, ky ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës”.
Në ceremoninë e 23-vjetorit të Masakrës, Hovenier ka thënë se e vërteta duhet të pranohet dhe se pranimi i saj është hap i parë i drejtësisë.
“Mohimi dhe glorifikimi i krimeve të luftës çnderon kujtimin e të vdekurve dhe e kthen prapa rajonin. Paqja dhe drejtësia vinë nga pranimi i krimeve të së kaluarës. Kjo është jetike që krimet e tilla të mos ndodhin. Pranimi i së vërtetës është vetëm hapi i parë i drejtësisë”, ka thënë Hovenier.
Ndërkohë, ambasadori britanik në Kosovë Nicholas Abott, ka thënë se ende nuk është gjetur drejtësi për civilët e vrarë në Reçak.
“Sot në mëngjes iu bashkova përkujtimit për të nderuar dhe kujtuar viktimat e masakrës në Reçak. 23 vjet më parë, 45 civilë të pafajshëm u vranë në një akt pa dallim dhe ende nuk kanë gjetur drejtësi. Nuk do të harrojmë kurrë”, shkroi ai në Facebook.