1 perditesime
11:10

Osmani, Konjufca e Kurti në Reçak, dëgjojnë rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin, Albin Kurti, kanë qëndruar të shtunën në Reçak, në përkujtim të masakrës së luftës që ka ndodhur në këtë fshat, 23 vjet më parë.

Presidentja Osmani ka thënë se bashkë dëgjuan rrëfimet e tmerrit të të mbijetuarve të kësaj masakre.

“Sot në vendin e ngjarjes, te Kodra e Bebushit, aty ku ndodhi masakra e Reçakut, dëgjuam rrëfimet e tmerrit të të mbijetuarve të masakrës. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ndërsa në ceremoninë përkujtimore në Shtime, presidentja Vjosa Osmani, tha se kjo masakër ishte pasqyrim i shfarimit gjenocidal të Slobodan Millosheviqit. Shtoi se përkundër tentimit që kjo masakër të fshihej, u dëshmua se propaganda nuk mund të ndryshojë faktet historike.

Osmani para të pranishmëve u shpreh se nuk do të lejohet që të vërtetën ta mbulojë pluhuri i historik, ngase Reçaku mbetet dhimbje e përhershme, vend ku mori formë liria, raporton EO.

“Propaganda nuk mund të ndryshojë fakte historike. Në Reçak ka ndodhur gjenocid dhe synim ishte shfarosja e shqiptarëve. Mohimi i krimit është përsëritje e krimit. Histori nuk mund të ndryshohet, propaganduesit duhet të kërkojnë falje e të vendoset drejtësi. Nuk kemi asnjë lajm për të zhdukurit, liria jonë pa ta do të mbete e pa përmbushur. Secili varr ka histori tmerri, kjo masakër shënoi kthesën më të madhe ngase u intensifikuan përpjekjet për liri nga të huaj e nga të rinjtë të gatshëm për liri”.

Kryeministri Kurti tha se mohimi i gjenocidit përpiqet të riformësojë historinë në mënyrë që të demonizojë viktimat dhe të rehabilitojë autorët. Mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit. Është ajo që Elie Wiesel e ka quajtur një "vrasje e dyfishtë", tha ai.

Historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun, tha Kurti, njësoj qysh nuk mund të shkruhet pa Prekazin, Mejën, Krushën e Madhe e  Krushën e Vogël, Dubravën, Poklekun, Rezallën, Izbicën, Gjakovën, Qyshkun, Lybeniqin, Pastaselin, Arbrinë e Epërme, Qirezin e Likoshanin e shumë vende të tjera të Kosovës që ishin viktima të mbi 400 masakrave gjatë luftës së fundit të viteve ’98 e ‘99, dëshmi këto të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

08:04

Bëhen 23 vjet nga Masakra e Reçakut, mblidhen njerëz për homazhe

Kosova përkujton sot 23 vjetorin e masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Sikurse viteve të tjera, edhe në këtë 23 vjetor të masakrës Kompleksi Memorial i Reçakut është mbushur me politikanë e familjarët e të vrarëve të cilët kërkuan drejtësi për masakrën në këtë fshat. Homazhe në kompleksin në Reçak bënë edhe liderët e institucioneve e të partive politike.

U vendosën kurora lulesh dhe u bënë përulje.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, shkruan KosovaPress.

Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerëzimit.

Pas masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës./KP