Arbëri

KPK: Ndërkombëtarët do të ftohen për monitorim të zgjedhjes së Kryeprokurorit

KPK

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thënë se do të ftohen partnerët ndërkombëtar për monitorim, në mënyrë që zgjedhja e Kryeprokurorit të ri të jetë sa më transparente.

KPK-ja ka thënë se në mbledhjen e 208-të të mërkurën, ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit.

KPK-ja ka thënë se gjithë partnerët ndërkombëtarë e vendorë janë informuar për agjendën e takimit të 208-të të saj ku në rend dite ishte edhe shpallja e konkursit për Kryeprokuror.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç ka marrë vendim për shpalljen e konkursit, duke u bazuar në afatet ligjore, do të vazhdojë të gjitha procedurat deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke respektuar ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë këtë proces. Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës, sikurse në proceset e tjera, edhe në këtë proces do të ftojë partnerët ndërkombëtarë për monitorim, me qëllim që të jetë sa më transparente zgjedhja e Kryeprokurorit të ri të Republikës së Kosovës. Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme që po japin partnerët ndërkombëtarë, andaj edhe do të vazhdojë të bashkëpunojë për të gjitha proceset e sistemin prokurorial të Kosovës, me qëllim të fuqizimit dhe ngritjes së vazhdueshme të efikasitetit të këtij sistemi”, thuhet nga KPK-ja.

Reagimi i KPK-së ka ardhur pasi Ambasada Britanike sot u shpreh e befasuar me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), që të mërkurën shpalli konkurs për kryeprokurorin e ri të shtetit.

Ambasada përmes një njoftimi në llogarinë e saj në Facebook, ka treguar se ka ofruar mbështetje edhe për këtë proces, porse është anashkaluar.

“Ambasada britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK-ja, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën (konkursin v.j.) pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK-ja të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike.