Arbëri

Autoritetet në Shqipëri thonë se janë në gatishmëri për dëmet e mundshme nga tërmeti

Tërmet

Lëkundje të forta tërmeti janë ndier në disa qytete të Shqipërisë mbrëmjen e së dielës. Tërmeti u ndie në Tiranë, por edhe në zonat jugore dhe juglindore të vendit, si Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Berat, Elbasan etj.

Sipas të dhënave sizmiologjike, tërmeti ka qenë me epiqendër në zonën e Follorinës në Greqi me magnitudë 5.6.

Disa minuta më vonë, dy tërmete të tjerë goditën Greqinë, njëri me magnitudë 3.5 dhe tjetri 4.8.

Departamenti i Sizmiologjisë i Institutit të Gjeoshkencave në Shqipëri njofton se tërmeti ka rënë në një thellësi 9 kilometra nën tokë.

“Sot në datën 09/01/2022, ora 22:43 (ora lokale), Rrjeti i Monitorimit Sizmologjik i IGJEO ka regjistruar një termët të madhësisë M5.6 sipas shkallës Rihter, me thellësi të vatrës 9 km. Epiqendra është lokalizuar 40 km në Veri-Lindje të Bilishtit. Intensiteti i tërmetit vlerësohet paraprakisht 6 ballë sipas shkallës MSK-64. Nuk kemi njoftime për dëme”, thuhet në njoftimin e Institutit të Gjeoshkencave.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi informon se Emergjencat Civile janë në gatishmëri për të evidentuar nëse ka dëme apo të lënduar.

“Lëkundjet e tërmetit që u ndjenë edhe në vendin tonë e kishin epiqendrën në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, sipas të dhënave paraprake nga IGJEUM, rreth 40 km në Veri-Lindje të Bilishtit me magnitude 5.6 sipas shkallës Rihter. Intensiteti i tërmetit vlerësohet paraprakisht 6 ballë sipas shkallës MSK-64. Edhe pse shumë herët, deri në këto momente nuk raportohen dëme, megjithatë të gjitha strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë për të evidentuar e me pas reaguar në çdo situate”, thuhet në njoftimin e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi. /tvklan.al