Arbëri

“Grave që po vriten nga burrat, po u vritet edhe varri”

Pa përkrahje shoqërore e institucionale janë gratë në Kosovë që po përjetojnë çfarëdo lloj dhune në familje, kanë thënë Sevdije Hoxha nga organizata e Grave Intelektuale të Drenicës, dhe Bahtije Sejdiu nga Shoqata e Pensionistëve në Skenderaj, në ditën kur me protestë u dënua vrasja e Lirije Qerimajt në Llaushë. Qerimaj dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj.

Të premten, Policia njoftoi se disa ditë para vrasjes në familjen Qerimaj ishte raportuar për dhunë në familje, por se te viktima s’ishin vënë re shenja dhune e se ajo s’kishte pranuar se është rrahur nga bashkëshorti. Rasti kishte shkuar në procedurë të rregullt. Ndërkaq në emisionin “60 Minuta” në KTV, nga shoqëria civile janë ankuar se pos neglizhencës në të tilla raste, grave viktima po u vihet edhe etiketa e rëndë pas vdekjes. Ato janë ankuar se neglizhenca nuk është vetëm në institucione por edhe nëpër familje.

“Kur kërkon mbrojtje dhe s’has në përkrahje, kur po neglizhohen rastet nga gjykata ku të ankohemi më pas ne gratë? E thirr policinë dhe prapëseprapë s’ke përkrahje. As në familje tash s’ke. Përpara ka qenë më ndryshe. Kanë qenë bisedat më transparente... Te familja, te shteti, ka humbur komunikimi. S’mund të kthehesh as te familja jote. S’ke fuqi as të kesh pasurinë tënde që të ndahesh prej burrit. Kur je në një shtëpi pas 30 vjetësh e ke kontribuar aty dhe ajo pasuri është e përbashkët. Nuk i drejtohemi vetëm Policisë, por edhe gjykatave e Kuvendit Komunal sepse të gjitha institucionet kanë përgjegjësi. Të reflektojnë. Nga dhunues po kthehen në recidivistë. Po i lirojnë ata. Dhe më pas në rastin e parafundit vrasësi është dënuar shumë pak. Dhe ato gra që vriten i etiketojnë kinse për tradhti. Mendoj se kjo është më e rënda, vriten jo vetëm një herë me pushkë, vritet edhe varri i saj, familja e saj dhe mundohen ta ulin çdo kund gruan. S’e meriton asnjë grua. Jam për trajtim dhe barazi gjinore. Ka ndodhur në gjithë vendin. Na përfshin të gjithëve, por ne duhet t’i trajtojmë më seriozisht”, ka thënë Hoxha.

Ajo është ankuar se institucionet e sigurisë po mundohen ta luajnë rolin e psikologut e të qendrave sociale duke u përpjekur t’i bindin gratë që të kthehen te fëmijët pa marrë parasysh për pasojat. Sipas saj, nëse ka dhunë në një familje s’duhet të largohet gruaja nga shtëpia, por dhunuesi.

Ndërkaq Sejdiu ka thënë se institucionet duhet të jenë më afër viktimave e “jo që të thërrasë gruaja 100 herë në Polici e të mos i lajmërohet askush për rastin”.