Arbëri

Diplomacia e politizuar, ambasadat pa zot shtëpie

Qendrat më të rëndësishme vendimmarrëse Kosova i la pa ambasadorë pas “fshesës” së ministres Donika Gërvalla. Me gjithë premtimin e Qeverisë se ambasadorët e rinj do të emërohen shpejt, kjo nuk ndodhi, duke bërë që të ulet niveli i përfaqësimit me të ngarkuar me punë. E një ambasade iu vu dryni pasi mbeti pa asnjë diplomat. Veç gafave diplomatikë, Ministria e Jashtme e vazhdoi praktikën e qeverive paraprake duke bërë punësime pa kritere, emërime të kundërligjshme dhe dhënie gradash pa mbështetje në ligj

Pa zot shtëpie për gati gjysmë viti u lanë 21 misione diplomatike nga 32 sa i ka gjithsej Kosova nëpër botë. Disa prej tyre, me vite, për shkak të vonesave në emërimin e ambasadorëve të rinj.

Kosova e uli nivelin e përfaqësimit me të ngarkuar me punë në të gjitha këto misione, përfshirë qendrat vendimmarrëse.

“Fshesa” e ministres Gërvalla pa një plan dhe pa vlerësim tё punës sё ambasadorëve u konsiderua veprim jo i mençur e papjekuri diplomatike.

Me gjithë premtimin e Qeverisë së emërimet e reja do të bëhen shumë shpejt, kjo nuk ndodhi.

Vonesat erdhën në kohën kur Serbia paralajmëroi rikthim tek fushata për tërheqjen e njohjeve, nëse Kosova iu rikthehet përpjekjeve për shtimin e njohjeve apo anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

Qe tre vjet nuk ka ambasador në Londër e as në Tokio, kurse pa të mbeti edhe në Uashington, Bruksel, Berlin e në vendet e rajonit.

Përveç vonesës trevjeçare, një ambasador në Japoni kishte lënë misionin në gjysmë të mandatit, pa i kryer as procedurat formale.

Pak muaj më vonë, më 9 nëntor 2015, Japonia abstenoi në kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

Ndërkaq Ambasadës së Kosovës në Australi iu vu dryni pasi mbeti pa asnjë diplomat.

“Prita deri në ora 17:00 me kohën e Australisë. Askush nuk erdhi për të bërë pranim-dorëzimin në Ambasadën e Republikës së Kosovës. E mbylla Ambasadën duke lënë gjithçka sikurse ishte, në mënyrë të rregullt, i lashë të gjithë çelësat brenda dhe më nuk kam asnjë qasje në të, dhe në ora 17:07 minuta dola nga Ambasada”, kishte shkruar ambasadori i Kosovës në Kambera, Hajdin Abazi.

Shoqëria civile e kritikoi Qeverinë për vonesat në emërimin e ambasadorëve. Sipas Emir Abrashit nga Instituti Demokraci Plus (D+), mungesa e ambasadorëve në shumicën dërrmuese të misioneve përçoi mesazh të keq për seriozitetin me të cilin ne iu qasemi marrëdhënieve dypalëshe.

“Vonesat në emërimin e ambasadorëve sigurisht se do të kushtojnë sidomos kur të arrijmë për të aplikuar në organizata ndërkombëtare. Për këtë e kemi edhe shembullin e Japonisë, e cila në mungesë të ambasadorit për dy vjet, gjatë votimit në UNESCO pati abstenuar. Pra, shtetet e marrin si ofenduese mungesën e përfaqësuesve diplomatikë në ato vende në të cilat ne kemi ambasada”, ka thënë ai. “Edhe pse Qeveria u arsyetua se ka një qeveri të re, shteteve të tjera nuk iu intereson për shkak se marrëdhëniet mes shteteve vazhdojnë edhe në mungesë të Qeverisë dhe nuk varen nga Qeveria në qendër”.

Fshesa e ministres së Punëve të Jashtme u kthye kah diplomatët e rangut më të ulët, pas shkarkimit të ambasadorëve të emëruar me çelës politik. Pa e mbushur një mandat të plotë, ministrja Gërvalla shkarkoi në dhjetor shefin e Konsullatës së Kosovës në Shtutgart, Imer Lladrovci. Ai kishte nisur punën në këtë pozitë në dhjetor të vitit 2018, kur kryeministër ishte Haradinaj e shef diplomacie Behgjet Pacolli.

Jostabiliteti politik dhe rrëzimi i shpeshtë i qeverive kanë dëmtuar edhe politikën e jashtme, duke bërë që emërimet e reja të varen nga ndarja e hises së pushtetit mes partnerëve të koalicionit.

Vetëm pesë muaj pas shkarkimit të ambasadorëve që ishin emëruar me çelës politik, Qeveria iu dha drejtim propozimeve të reja. Të propozuarit me çelës politik dhe disa diplomatë karriere u dekretuan nga presidentja dhe Ministria është në pritje të pëlqimeve nga vendet pritëse.

Shkeljet me grada

Ministria e Jashtme ka vazhduar praktikën e qeverive paraprake duke dhënë grada diplomatike pa u bazuar në meritë. Ato u denoncuan edhe nga Shoqata Sindikale brenda MPJ-së, që u detyrua t’i shkruante kryeministrit Kurti.

Ndër shkeljet masive janë listuar punësimet pa kritere, emërimet e kundërligjshme dhe shpërndarja e gradave diplomatike pa mbështetje në ligj.

Si rrjedhojë e këtyre fenomeneve në Shërbimin e Jashtëm janë dëmtuar kriteret e profesionalizmit, meritokracisë, integritetit dhe përvojës mbi të cilat bazohet ky shërbim, duke u bërë pengesë në zhvillimin e kapaciteteve të brendshme për vetë Shërbimin e Jashtëm.

Qeveria Kurti e ka përfshirë në planin e punës rishikimin e gradave, emërimeve dhe punësimeve të paligjshme të diplomatëve. Por procesi nuk ka nisur ende.

Defektet e shumta të konstatuara ndër vite në Shërbimin e Jashtëm synohet të adresohen në propozim-ligjin e ri, por i cili nuk u procedua sipas agjendës legjislative që vetë Qeveria e ka votuar.

Pakënaqësi të shumta brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme ka prodhuar edhe procesi i sistemit të kuadrove të Ministrisë së Diasporës. Pa miratimin e dokumenteve relevante, Ministria ka nisur transferimin e zyrtarëve.

Ish-udhëheqësi i Divizionit të personelit në Ministrinë e Diasporës, e cila në vitin 2020 u fuzionua në Ministrinë e Jashtme, është sistemuar në pozitën e njëjtë në MPJ. Ky vendim ka nxitur reagimin e Shoqatës Sindikale që ka kërkuar prej ministres ta tërheqë vendimin, por kërkesa nuk u përfill.

Fuzionimi i ministrive ishte bërë në vitin 2020 nga Qeveria Kurti 1, që ishte në koalicion me Lidhjen Demokratike.

Fuzionimin e rregullon Ligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura, ndërsa më detajisht procesin e definon Rregullorja për standarde të organizimit të brendshëm. Sipas kësaj rregulloreje, prej momentit që bashkohen ministritë duhet të nisë procesi për sistematizimin e vendeve të punës.

Gafat e ministres

Që prej emërimit si ministre, Donika Gërvalla-Schwarz ka qenë cak i kritikave për shkak të gafave në rrjetet sociale e lëshimeve protokollare.

Kur në zyre i kishin shkuar emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Matthew Palmer, mungonte flamuri i SHBA-së.

MPJ-ja u mor edhe me sjelljet e Bjellorusisë pas arrestimit të një gazetari.

Veç gabimeve në përmbajtjen e reagimit, Kosova u paraqit si superfuqi që është e gatshme t’i asistojë SHBA-së, NATO-s dhe BE-së për t’ia ndalur hovin Rusisë.

Në rastet e tjera, Gërvalla pas takimit me sekretarin Jens Stoltenberg ngatërroi flamurin e NATO-s me atë të Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq Andorrës ia uroi ditën e pavarësisë me flamur të Moldavisë.

Ministrja Gërvalla, para Komisionit për Punë të Jashtme i kishte gafat me limitimin prej 270 karakteresh.

Edhe pse Kosova bën politikë të jashtme prej pak vjetësh ka bërë skandale të shumta, përfshirë ato me sjelljen e stafit diplomatik dhe skandalet me njohjet. Veç mungesës së koordinimit ka pasur akuza ndaj diplomatëve se kanë punuar kundër interesave të shtetit.

Ato patën marrë intensitet kur nisën diskutimet për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

Për incidentet e stafit diplomatik të Kosovës është mësuar vetëm nga qytetarët të cilët i kanë publikuar ato ose autoritetet vendëse, kur zyrtarët kosovarë janë zënë në flagrancë.

MPJ-ja, e cila posedon mekanizma të vlerësimit të punës së stafit nëpër misionet diplomatike, nuk ka raportuar asnjëherë për ndëshkimin e atyre që kanë bërë gjeste të tilla.

Shterpësia në anëtarësime

Asnjë sinjal nuk ka dhënë Ministria e Jashtme se po përgatitet për fazën pas 4 shtatorit, kur skadoi moratoriumi për aplikim në organizata ndërkombëtare. Ministria por as Zyra e kryeministrit nuk kanë treguar nëse janë duke hartuar ndonjë strategji për t’i dhënë fund shterpësisë sa u përket njohjeve dhe anëtarësimeve. Megjithëse publikisht kanë kundërshtuar pikën që derivon nga Marrëveshja e Uashingtonit, Qeveria aktuale nuk ka bërë asnjë aplikim deri tani.

Në anën tjetër, zyrtarë të Beogradit kanë paralajmëruar t’i rikthehen fushatës për anulimin e njohjeve të Kosovës dhe pengesave në mësymjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Sipas zyrtarëve serbë, numri i shteteve që kanë tërhequr njohjet për Kosovën ka shkuar në 15.

Pas aplikimeve, Kosova pati dështuar të anëtarësohej në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO). Nuk është pjesë as e Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

*Falas