Sistemi i drejtësisë ka pasur qasje patriarkale në rastin e keqpërdorimit seksual të të miturës vjet më parë në Drenas, e për të cilin një ditë më parë u dënuan pesë persona nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka thënë Saranda Ramaj, gazetare e KOHËS.
Në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Ramaj ka thënë se hetuesia ka mundur të ketë dyshim se edhe avokati i të miturës ishte i përfshirë në rastin e keqpërdorimit e saj, por që nuk i ka zgjeruar hetimet në përpjekje kinse për të mbrojtur viktimën.
“Nuk mund të themi se nuk ka pasur në polici dyshim, por ata mendonin se ka prova që janë bërë publike për dy persona dhe duhej të përfundonte ky rast vetëm për dy persona, sepse nëse zgjerohet hetimi për personat e tjerë, atëherë do të dëmtohej më tepër viktima, që është një qasje patriarkale në sistemin e drejtësisë. E vërteta ishte ndryshe, dhe ajo duhej të zbardhej deri në fund, sepse e vetmja gjë që ishte e sigurt në atë mes, ishte se ajo ishte viktimë, dhe prokuroria dhe sistemi i drejtësisë ia kishin borxh moskursimin edhe të të tjerëve asaj viktime”, ka thënë Ramaj e cila nga hetimet që kishte bërë për rastin, kishte zbuluar se edhe avokati ishte i përfshirë.
Sipas saj, ky rast do të duhej të shërbente që secili person të ndiqet për ato që pretendohet ose që kanë dyshime të bazuara mirë, dhe se viktima mbrohet vetëm duke zbardhur të vërtetën e plotë e jo duke u rrethuar nga mentaliteti i rrethinës.
Ramaj ka folur edhe për aktakuzën e rastit, duke thënë se kishte gjuhë paragjykuese ndaj viktimës, derisa për aktgjykimin ka thënë se pritet ta marrë në ditët në vijim.
“Edhe në aktakuzën e këtij rasti ka gjuhë paragjykuese. Nga ai dokument që pash, kishe gjuhë gjykuese ndaj viktimës dhe besoj se njëjtë edhe me aktgjykimin. Në mes rreshtash shihet një lloj ironie kur përshkruhet ekzaminimi i telefonit, ku thuhet se vajzës kjo i duket krejt normale. Për faktin që kemi parë aktgjykime shumë seksiste nga trupi gjykues, do ta shoh nëse ka pasur të tilla përkufizime edhe në këtë rast”, është shprehur Ramaj.
Ajo më tej ka shpjeguar për hapat e hetimit të këtij rasti si gazetare, duke thënë se ishte shqetësuar nga telefonata të shumta, madje edhe nga prokurorë e hetues pasi ia kishte bërë me dije avokatit se ishte në dijeni se mund të ishte i përfshirë edhe ai në këtë rast.
Tre arsimtarë, një polic dhe një avokat janë dënuar të enjten për keqpërdorimin seksual të të miturës në Drenas vjet më parë.
Në vitin 2019, rasti pati bërë bujë për shkak se e mitura dyshohej për keqpërdorim seksual nga arsimtari, një polic e edhe nga një avokat.