Arbëri

Berisha: Izolimi i ndërtesave, zgjidhja më e shpejtë për krizën e rrymës

Xhevat Berisha, profesor i inxhinierisë mekanike në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se energjia elektrike nuk duhet të përdoret asesi për ngrohje.

Berisha në “Interaktiv” të KTV-së të enjten, ka deklaruar se zgjidhja më e shpejtë për krizën e rrymës do të ishte izolimi i ndërtesave.

“Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është trefishi krahasuar me shtetet tjera. Zgjidhja e parë që mund të realizohet shpejt dhe që e mban nën kontroll konsumin është që së pari të prodhohen materiale termoizoluese, është fjala për stiroporin”, është shprehur ai, duke thënë se Kosova është vend që harxhon trefish më shumë energji elektrike, në raport me vendet e tjera.

Berisha ka shtuar se për këtë vit, zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza është blerja e energjisë elektrike, ndërkohë që për afat më të gjatë ai parasheh edhe disa mundësi të tjera.

"Ndërrimet e shpejta dhe ndërrimi i strukturës së prodhimit të energjisë elektrike në shpejtësi, është i pamundur. Ka mundësi që energjia elektrike që gjenerohet gjatë natës ose të depozitohet si energji përmes ruajtjes për energji termike, që është e mundur, ose të depozitohet në një liqe akumulues në majë të Brezovicës si energji uji, duke marrë ujë prej lumit, dhe të krijohet një liqe artificial dhe pastaj e shfrytëzon kur ti ke nevojë për të. Forma tjetër është se a të rritet gjenerimi dhe të jetë konsumi i pavarur, apo të ndalet gjenerimi dhe të ulet konsumi. Shtëpitë e banimit përafërsisht i shpenzojnë rreth 300 kilovat orë për ngrohje për metër katror. Ideja ime është që të ulet konsumi pa e cenuar konforin e jetesës”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se institucionet në Kosovë e kanë shfrytëzuar kapitalin për ndërtimin e rrugëve si prioritet, duke lënë ato për energjinë elektrike anash.

“Ne kemi pasur prioritet ndërtimin e rrugëve, rruga Arbër Xhaferi ka kushtuar X kapital, rruga e kombit ka kushtuar X kapital, dhe nëse mbledhim këtë kapital kemi mundur të ndërtojmë një termoelektronë në vitin 2004 dhe të rrisim investimet për ruajtjen e energjisë te popullata”.

Ai tha se po qe se vazhdon trendi i ngrohjes përmes energjisë, do të ketë gjithnjë probleme. Zgjidhje të problemit, ai e sheh edhe djegien e drurit.