Arbëri

Reduktimet e rrymës, më të gjata e më të shpeshta se që lajmëroi KEDS-i

llamba

Foto: Ilustrim

Kompania për shpërndarjen e rrymës KEDS, të mërkurën njoftoi se është e detyruar të nis me reduktimin e rrymës për familje e biznese në Kosovë, për shkak të mungesës së saj dhe rritjes enorme së çmimit në tregjet ndërkombëtare.

Në njoftim u bë e ditur se reduktimet do të nisin të enjten dhe se do të zgjasin nga dy orë në ditë.

Por, ajo me çka po ballafaqohen qytetarët është se reduktimi i rrymës nisi qysh të mërkurën, kur u bë edhe njoftimi si dhe kohëzgjatja shkon deri në 14 orë.

Edhe në lagje të tjera pati ndërperje të rrymës më shumë se një herë.

“Gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase. Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike. Këto kufizime do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë.

Kjo situatë do të mbizotërojë gjatë 24 orëve të ardhshme, ndërsa për ditët në vijim në jemi në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i dhe do të veprojmë konform tyre”, thuhet në njoftimin ei KEDS-it të mërkurën. Sot nuk ka dal me njoftim tjetër ende.

Qytetarë të shumtë nga Prishtina, sidomos nga lagjja Velania, i kanë shkruar KOHËS në mëngjesin e sotëm se tash e 14 orë nuk kanë rrymë. Shumë prej tyre këtë e kanë bërë edhe nëpërmjet llogarive të tyre në rrjetet sociale.

“Kjo situatë tregon se politika e djathtë, sipas të cilës privatizimi zgjidh problemet me shërbime publike,- është e keqe. Kesco dhe Keds duhet të nacionalizohen. Kur ka fitim - e ndajmë, kur ka humbje - e ndajmë, e jo kështu fitimi i tyre e humbja e jona, edhe shërbimi katastrofik. Futemi në orën e 14-të pa rrymë”, ka shkruar në Facebook qytetari V.G. me vendbanim në Velani, rreth orës 9:30.

KOHA ka tentuar të kontaktojë me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, në disa forma, por nuk ia ka dalë. As nuk është lajmëruar në telefon e as ka kthyer përgjigje të shkruar.

Në disa lagje të Prishtinës është aplikuar orari 4 orë me rrymë e 2 pa rrymë. Kështu janë njoftuar edhe banorët e fshatit Peqan në Suharekë, por po u ndalet nga 3 orë.

Banori F.G. i ka shkruar KOHËS se ndërprerjet janë 3 me 3.