Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj protestës kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ishte i pranishëm gjatë kësaj jave në Tiranë në kuadër të takimit trepalësh Rama-Zaev-Vuçiq për iniciativën “Ballkani i Hapur”.
Zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike apo këtë protestë të nisur në mbrëmjen e së hënës, Rama ka vendosur që mos ta komentojë, duke thënë se “nuk do të merret me kufomat gratanongrata as me dordolecët e papagajtë grata e vinçi”, siç i quan ai.
Kështu u shpreh ai në një postim në llogarinë e tij në Tëitter, ku shtoi se të njëjtit “kanë hyrë në një vorbull marrëzie qesharake bravash, dyersh, kanalesh e portalesh, kinse po duan kush e kush të luftojë më fort regjimin, korrupsionin, Vuçiqin”.
Rama më tej thotë se drejtësia e re po jep sinjale të qarta pa dallim ngjyrash.
“Jam i inkurajuar që drejtësia e re po jep sinjale të qarta pa dallim ngjyrash, ekonomia po vijon ringjitjen pas pandemisë, sporteleve po u vjen fundi bashkë me vitin në ikje dhe më e mira është e gjitha përpara, duan s’duan humbësit fitimtarë të kuvendeve demokratike e mediatike! Nesër vendosim në qeveri Konsultimin e madh Kombëtar me shqiptarët për vendime të rëndësishme të vitit që po vjen dhe le ta dëgjojmë sa më shumë njëri-tjetrin, jashtë llogoreve të ngushta partiake e logjeve të mëdha provinciale! Ata s’kanë ç’humbin më, ne s’kemi kohë për të humbur!”, shkruan Rama.
Disa qindra mbështetës të Grupit „Rithemelimi i Partisë Demokratike"(PD), strukturë e ngritur nga Kuvendi Kombëtar i demokratëve, i mbajtur këtë muaj protestuan në mbrëmje e së hënës të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, kundër Presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe nismës ‘Ballkani i Hapur’ ku marrin pjesë tri vende: Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Një ditë para zhvillimit të takimit të liderëve të këtyre tri vendeve, protestuesit të cilët u nisën nga selia e PD-së, u ndalën para objektit të Kryeministrisë, ku pastaj ish-kryeministri Berisha dhe pjesëmarrës të tjerë në protestë mbajtën fjalime.
Berisha e cilësoi Ballkanin e Hapur "një projekt të refuzuar nga tre shtete të Ballkanit, që është në kurriz të kombeve të Ballkanit dhe synon të rikthejë ‘fantazmën’ e ish-Jugosllavisë dhe të vendosë hegjemoninë serbe në rajon".
“Kjo protestë është kundër aleancës trilaterale Beograd –Tiranë - Shkup që i kundërvihet nismës së Berlinit, projektit evropian të integrimit të rajonit në BE. Jemi të angazhuar për një bashkëpunim të frytshëm rajonal në kuadër të integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Kjo është një protestë kundër një projekti që shkon në kurriz të mbarë kombeve të Ballkanit, të refuzuar në mënyrë kategorike nga Bosnja-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova", tha Berisha në fjalën e tij.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.