Arbëri

SHBA-ja heq nga lista e zezë firmën e Zharko Veselinoviqit kroat

Ministria e Financave e Shteteve të Bashkuara të Amerikës hoqi nga lista e sanksioneve një kompani që më herët u mendua se ishte pronë e Zharko Veselinoviqit, vëllait të biznesmenit kontrovers nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, shkruan N1.

Vendimi është postuar sot nga Ministria e Financave e SHBA-së.

Ditë më parë, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA-së i ka futur në listë të zezë Zvonko Veselinoviqin, vëllain e tij Zharko, Milan Radoiçiqin, Zheljko Bojiqin e Marko Rosiqin për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar, e bashkë me ta edhe kompanitë që drejtojnë ata.

Mes kompanive që u futën në listë të zezë, ishte edhe Nautikacentar, me bazë në Rjekë të Kroacisë, me pronar Zharko Veselinoviqin. Por, gabimi ishte se bëhet fjalë për një Zharko Veselinoviq tjetër, e jo për vëllain e Zvonko Veselinoviqit.

Gazeta “Jutarnj List” kishte intervistuar kroatin Zharko Veselinoviq dhe ai tha se po mendon edhe të mbyllë firmën, pasi është afër pensionimit dhe firma nuk po sjell shumë fitime.

“Kam telefonuar në ambasadën amerikane, por sigurisht që askush nuk mund të shkojë atje, tani më duhet të punësoj një avokat sepse nuk është serioze që një kompani të futet në listën e zezë pa u kontrolluar”, tha ai për “Jutarnji List” ditë më parë.