Arbëri

MSH-ja jep instruksione se si duhet mbrojtur nga gripi sezonal

Ministria e Shëndetësisë në një postim në Facebook ka dhënë disa instruksione se si duhet mbrojtur nga grupi sezonal.

Pos vaksinimit, ndër instruksionet tjera ka thënë se është mbajtja e maskës, reduktimi i vizave te familjarët e hospitalizuar, të reduktohet qëndrimi te vendet e mbyllura të mbingarkuara me njerëz.

“Nëse keni shenja të gripit mbani së paku një metër distancë prej njerëzve. Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes. Hidheni faculetën menjëherë pas përdorimit. Shmangni prekjen e syve apo gojës me duar të pa pastruara. Nëse keni shenja të grupit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi”, thuhet në udhëzimet e MSH-së.

Brenda dy muajve, mbi 15 mijë persona janë prekur nga gripi sezonal në Kosovë.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) deri më 17 dhjetor, nga 15,786 raste me grip, 2,498 janë cilësuar si infeksione respiratore akute dhe 69 me infeksion të rëndë respirator akut.

Gripi sezonal është një infeksion akut viral, i cili përcillet direkt nga një person i sëmurë te tjetri përmes stërpikave gjatë kollitjes ose teshtitjes.