Arbëri

Ekspertët po e shohin pozitivisht qasjen e re të Francës për Ballkanin

Zotimi i presidentit Emmanuel Macron, gjatë shpalosjes së prioriteteve të presidencës franceze mbi BE-në, për një angazhim të shtuar në Ballkan, nga njohësit po shihet si sinjal pozitiv. Përshpejtim procesesh integruese ata presin pas zgjedhjeve të prillit në Francë

Fokus i shtuar i Francës në Kosovë e rajon pritet gjatë pjesës së parë të vitit të ardhshëm, kur ky shtet ta ketë kryesimin mbi Bashkimin Evropian.

Deklarata e presidentit francez, Emmanuel Macron, se Ballkani është më shumë se fqinjësi, nga njohësit shihet si disponim për ecjen para me integrimin evropian.

Profesori i diplomacisë në Universitetin IÉSEG të Parisit, Valon Murtezaj, e konsideron thelbësor rolin që e ka shteti francez në bllokun evropian. Përshpejtim të proceseve integruese ai pret pas zgjedhjeve të prillit në këtë shtet dhe varësisht nga rezultati i tyre.

“Me gjithë disa hezitime që mund t’i kenë nganjëherë vendet e Bashkimit Evropian, pesha e Francës dhe e presidentit francez gjithmonë do të jetë pothuajse vendimtare për integrimin e secilit vend të Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe disponimi i presidentit Macron në mandatin e tij të dytë nëse ajo vjen dhe sipas gjasave vjen është që ta përshpejtojë këtë proces me të gjitha vendet, në këtë kuadër edhe liberalizimin e vizave”, ka

Sipas tij, Ballkani Perëndimor në perspektivën e Francës ka rëndësi të madhe për shkak se në këndvështrim të saj është çështje e sigurisë së Evropës.

Edhe korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, e sheh si sinjal pozitiv deklarimin e Macronit lidhur me presidencën e ardhshme të Francës në BE.

“Duhet të merret si një shenjë e mirë, sidomos duke pasur parasysh se Franca për një kohë të gjatë ka qenë shumë skeptike ndaj procesit të zgjerimit të BE-së. Mirëpo duhet të shohim gjatë gjashtë muajve të parë të vitit të ardhshëm nëse kjo do të përkthehet nëse kjo do të kthehet në mbështetje për zgjerimin apo Franca mendon që një fokus më të madh ta ketë sa i përket sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Por, rezerva ai ka rreth çështjes së liberalizimit të vizave.

“Sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, pritet që Franca vërtet të bëjë trysni për të nisur negociatat, mirëpo nuk jam i sigurt nëse Franca do të angazhohet do të angazhohet seriozisht edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka shtuar Palokaj.

Në fjalimin e tij dy orësh në fillim të muajit, lidhur me prioritetet gjatë kryesimit mbi BE-në, Macroni tha se nuk ka ndërtim të paqes në Evropë duke e lënë Ballkanin Perëndimor në gjendjen siç është.

Për historinë, Macron vlerësoi se mund të përsëritet në mënyrë tragjike, duke shprehur përkushtim edhe në çështje të integrimit ekonomik, pakicave dhe luftimit të fuqive destabilizuese e manipuluese, duke aluduar në Rusinë e Kinën.