Ministria e Infrastrukturës e ka shkëputur kontratën me kompaninë e Radule Steviqit, i cili është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth krimit të organizuar, si pjesë e grupit të Zvonko Veselinoviqit, për mirëmbajtjen e rrugëve në Mitrovicën e Veriut.
Këtë e ka njoftuar përmes një postimi në Facebook zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Durmishi tregoi se mirëmbajtja e rrugëve në veri do të vazhdojë, por jo më nga kompania që u hoq nga kontrata.
“Nga sot kompania RAD. D.O.O, e cila është futur në listën e zezë të thesarit të SHBA-së, nuk do të jetë pjesë e konsorciumit në kontratën: "Mirëmbajtja verore dhe dimërore 2021/2022 e rrugëve nacionale dhe rajonale”. Sot është nënshkruar amandamentimi i kontratës ku pjesë e konsorciumit mbeten kompanitë "B Corp" dhe "Europa Parters", të cilat së bashku i plotësojnë kriteret e dhënies. Edhe do ta bëjmë mirëmbajtjen e rrugëve në veri edhe kompaninë në fjalë e kemi hequr nga kontrata”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Një gjë të tillë e kishte paralajmëruar edhe vet kryeministri Albin Kurti në intervistën e djeshme në “Desku” të KTV-së. Ai kishte thënë se “janë tri kompani që merren me mirëmbajtjen e rrugëve në Mitrovicën e Veriut, por mjaftojnë dy”, duke shtuar se do ta shkëpusin kontratën me kompaninë e Steviqit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.