4 perditesime
21:19

Muriqi: Sundimi i ligjit i shtynë profesorët e mjekët të rrinë në Kosovë

Këshilltari i ministres së Drejtësisë, Alban Muriqi, ka thënë se edhe deklarimi elektronik i pasurisë e lehtëson gjithë procesin. Në Deskun e KOHËS ai ka thënë se Agjencia Kundër Korrupsionit ka kapacitete për të zhvilluar procedurat për të gjithë ata që parashihet të përfshihen në vetëdeklarim.

Më tej shtoi se, respektimi i ligjit do t’i bëjë profesorët e mjekët që të mos largohen nga Kosova.

“Besojmë se me këtë projektligj dhe me ligjet e tjera që e luftojnë korrupsionin dhe i kontribuojnë sundimit të ligjit, njerëzit do të tërhiqen të rrinë nëse ka sundim të ligjit, rregullsi dhe llogaridhënie këtu. Ne po flasim për një kategori të intelektualëve që duan respektim të ligjit. Vetëdeklarimi nuk përbën ndonjë hetim, bastisje a padi, është thjesht një deklarim 1-vjeçar që t’i merr 20 minuta kohë”.

Muriqi ka thënë se në të kaluarën ka munguar vullneti nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial për të ngritur padi dhe për hetime në bazë të deklarimeve apo raporteve që i ka bërë AKK-ja.

 

20:44

Preteni: Deklarimi i pasurisë, qëllimi është ruajtja e parasë publike

Ish-kryetari i Agjencisë Kosovare Kundër-Korrupsionit, Hasan Preteni, ka thënë se Ligji për deklarimin e pasurisë bëhet për ruajtjen e parasë publike.

Preteni ka sqaruar se Ligji aktual për deklarimin e pasurisë ka shumë konfuzione, teksa ka shtuar se deklarimit të pasurisë duhet t’i nënshtrohen zyrtarët që kanë pozita menaxheriale e të cilët janë në vendimmarrje lidhur me paranë publike.

“Deklarimit të pasurisë duhet t’i nënshtrohen të gjithë ata zyrtarë që kanë pozita menaxheriale, të cilët janë në vendimmarrje, vendosin për punësimin ose largimin e njerëzve nga puna, sjellin vendime se si shpenzohet paraja publike, janë zyrtarë që punojnë në prokurimin publik. çka vendos një mjek sekondar në spital. Çka vendos ai për pasurinë. Gjithë ligji bëhet që të ruhet paraja publike, pjesa private është diçka tjetër. Shumë ka konfuzione”, ka thënë Preteni në “DESKU” të KTV-së.

Ai ka kritikuar edhe draftligjin e ri për deklarimin e pasurisë, duke thënë se ai është shumë më i dobët se Ligji që ka ekzistuar.

“Fatkeqësisht prej Ligjit që është në fuqi aktuale, deklarimi ka qenë i rregulluar mirë, kontrolli mirë, prejardhja, në asnjë nen as në Ligjin aktual, nuk e përcakton se si vërtetohet prejardhja. Asnjë mekanizëm nuk kërkon që të vërtetohet prejardhja”, është shprehur Preteni.


Preteni: Askush nuk do të mund t'i identifikojë të gjithë mjekët e profesorët

Ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se është e pamundur që të gjenden të gjithë mjekët e profesorët që kanë me deklaruar pasurinë.

Preteni në Desk të KOHËS ka thënë se është aq konfuz draftligji sa që edhe sot nuk do të mund të zbatonte megjithë përvojën që ka.

“Qaq është konfuz ky drafligj sa që edhe unë me 10 vjet përvojë sot nuk mundem me zbatu. Është i pazbatueshëm, nuk po avokoj as për mjekë e as profesorë e për askënd tjetër. Kush kurrë nuk mund të identifikojë cilët janë mjekët që kanë me deklaruar pasurinë. E pamundshme është me i gjetur profesorët e gjitha universiteteve publike”, ka thënë Preteni.

20:41

Projektligji për deklarimin e pasurisë, Muriqi: Nuk shohim arsye për rezistencë

Alban Muriqi, këshilltar i ministres së Drejtësisë, ka thënë se projektligji për deklarimin e pasurisë ku do të futen mjekët dhe profesorët, ka qenë nismë nga qeveritë e kaluara.

Ai ka thënë se qëllimi është që ata që konsiderohen të cenueshëm apo i ekspozohen më lehtë korrupsionit, ta deklarojnë pasurinë. Shtoi se nuk sheh arsye për rezistencë kundrejt këtij projektligji.

“Nuk shohim asnjë arsye për asnjë rezistencë të fortë në kuptimin e politikave apo mekanizmave që synojnë transparencë dhe llogaridhënie para institucioneve tona”, ka thënë ai në Desku të KOHËS.

Muriqi ka thënë se projektligji ka mbështetje pasi janë përfunduar diskutimet mbi të.

20:35

Imeri: Stafi akademik për çdo vit ka së paku katër deklarime

Ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri, ka folur për vendimin e Qeverisë që profesorët e universiteteve publike të futen në listën e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë.

Imeri ka thënë se për çdo vit stafi akademik duhet të bëjë së paku katër deklarime për atë se çfarë bëjnë.

“Çdo staf i Universitetit të Prishtinës ku punojë dhe universiteteve publike duhet paraprakisht gjatë vitit të bëjë së paku tri-katër deklarime. Deklarohemi për ditë në procesin e akreditimit, ku nuk mund të ketë orë ose planprograme pa mbulueshmëri të orëve. E dyta deklarohemi në MASHTI, për angazhimet tona, kemi afate të limituara për të deklaruar çdo angazhim që e kemi për një vit akademik dhe mosdeklarimi i saj ka konsekuenca ligjore. Pra nuk mund të nënshkruhet asgjë përtej asaj se çfarë e bëjmë realisht. Çdo vit i dërgojmë pasqyrat në UP në rektorat atje ku tregohet për angazhimet tona përbrenda një viti akademik. Ne kemi tejkaluar me deklarime. Harrova ta përmendi edhe se menaxhmenti i njësive akademike dhe menaxhmenti i UP-së deklarohen për çdo vit, janë persona që deklarohen për çdo vit në Agjencinë Kundër Korrupsion, dekani, pro-dekanët dhe sekretari i fakultetit. Pastaj janë edhe profesorët e tjerë që vartin përgjegjësi të caktuara brenda rektoratit të UP. Kemi së paku katër deklarime përbrenda një viti për atë se çfarë bëjmë”, ka thënë Imeri në Desk të KOHËS.

Imeri ka thënë se po “ngarkohemi pa nevojë me deklarime”. E, sipas tij, sa më shumë ngarkesë me procedura, mundësia për zbatueshmëri të ligjeve është më e vogël.

20:23

Sejdiu: Tregu i çrregullt ka mundësuar që mjekët të punojnë dhe fitojnë më shumë

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, ka thënë se mjekët janë të pasur aq sa punojnë.

Sejdiu ka thënë në “DESKU” të KTV-së, se aktualisht është një gjeneratë e mjekëve të cilët ishin të pjekur profesionalisht në kohën kur tregu i çrregullt i sektorit privat ka mundësuar që të punohet dhe fitohet më shumë nga ana e mjekëve.

“Fatkeqësisht në Kosovë të gjithë jemi të dyshuar, të gjithë dimë për shumë parregullsi në sistemin e drejtësisë. Mjekët janë të pasur për punën që bëjnë. Fatkeqësisht gishti tek ne drejtohet pasi është pak më e ndjeshme si sferë. Ne nuk kemi pse të fshihemi se s’kemi çka të fshehim. Jemi një gjeneratë e mjekëve të cilët kemi qenë të pjekur profesionalisht në kohën kur tregu i sektorit privat i çrregullt ka mundësuar që të punohet dhe fitohet më shumë nga ana e mjekut. Ky sektor privat i çrregullt duhet të rregullohet dhe të jetë nën kontroll”, ka thënë Sejdiu, teksa ka folur për deklarimin e pasurisë së mjekëve dhe profesorëve.

Deklarimin e pasurisë shumë shpejt do të duhet që ta bëjnë edhe mjekët dhe profesorët universitarë, të cilët punojnë në institucionet publike të vendit.

Qeveria e Kosovës ka miratuar më 10 dhjetor Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollimin e pasurisë dhe të dhuratave, nëpërmjet të cilit listës së zyrtarëve publikë i janë shtuar zyrtarisht edhe mjekët dhe profesorët.