Arbëri

KGJK-ja e MD-ja i kërkojnë Odës së Avokateve të mos kontestojë vendimin e gjykatës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, brenda dy ditësh i kanë nisur dy letra kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi, përmes të cilave e kanë vënë në dijeni për pengesën që po paraqet kjo odë për një çështje, siç është thënë shumë të ndjeshme penale.

Bëhet fjalë për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt në Deçan, ndërkohë që avokati i të akuzuarit Shaban Gogaj, Besnik Berisha, është përjashtuar nga ky rast. Kjo ka nxitur reagimin e Odës së Avokatëve, duke marrë vendim që të mos dërgojë avokat tjetër mbrojtës për të pandehurin Gogaj. Për pasojë, edhe procesi ka stagnuar.

{gallery}

“Ju shkruajmë përkitazi me vendimin nr. 827-1/2021 të datës 12 korrik 2012 dhe vendimin nr. 827-2/2021 të datës 9 shtator 2021, me të cilat akte ju është ndaluar avokatëve caktimi në pozitën e mbrojtësit në rastin me numër PKR Nr.43/19. Këshilli Gjyqësor i Kosovës shpreh shqetësimin serioz dhe e fton Odën e avokatëve të Kosovës që të tregojë konstruktivitet dhe të mos pengojë avokatët në përmbushjen e obligimeve të përcaktuara me Ligjin për avokatinë dhe Kodin e Etikës”, thuhet në letrën që kryesuesi i KGJK-së, Zogaj i ka nisur kryetarit të OAK-së, Ejupi, më 8 dhjetor.

KGJK-ja ka ftuar OAK-në të shqyrtojë këto dy vendime dhe të zhbllokojë procesin, që ka tronditur gjithë vendin, falë edhe video-incizimeve të publikuara nga babai i viktimës.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në letrën nisur Ejupit më 7 dhjetor, i ka kërkuar që në afat prej 30 ditësh ta njoftojë ministrinë me shkrim për veprimet që i ka marrë OAK-ja lidhur me kërkesën e gjykatës kompetente për caktimin e një avokati mbrojtës për çështjen penale PKR nr.43/19.