Arbëri

OAK-ja e palëkundur në vendimin rreth avokatit në rastin Tetaj

Përplasja mes Odës së Avokatëve dhe Gjykatës së Pejës nuk po gjen epilog. Kjo odë, nëpërmjet një konference për media, ka bërë të ditur edhe njëherë se nuk tërhiqet nga vendimi për të mos i caktuar avokat të pandehurit për vrasjen e të riut Agonis Tetaj - Shaban Gogaj - pas përjashtimit nga rasti të Besnik Berishës. Madje, kjo odë ka dhënë edhe arsyetimet e veta

Oda e Avokatëve të Kosovës nuk është zmbrapsur nga vendimi rreth moscaktimit të një avokati tjetër për Shaban Gogajn, të akuzuarin për vrasjen e të riut Agonis Tetaj, pas përjashtimit nga rasti të Besnik Berishës.

Lidhur me këtë çështje, OAK-ja ka mbajtur edhe të premten konferencë për medie, me ç’rast u ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe trupit gjykues të rastit që ta rikthejnë në detyrë avokatin e deritanishëm.

Behar Ejupi, kryetar i OAK-së, ka thënë se pret nga institucionet që t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së adresuar.

“Besoj dhe shpresoj shumë edhe te kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, e edhe te ministrja e Drejtësisë, që në dispozitat ligjore që ne i cekëm dhe kompetencat e tyre të ndryshojnë vendimin, sepse vendimi është i dëmshëm ngase është marrë me një mori shkeljesh”, ka thënë ai.

Ejupi ka shtuar gjithashtu se përjashtimi i avokatëve nga rastet gjyqësore, pa të drejtë ankese, është praktikë që avokatët do t’i penalizonte shumë.

“Konsiderojmë se si Odë do të jemi gardianë, do t’i mbrojmë interesat e qytetarëve dhe do t’u mundësojmë të gjithë avokatëve që të ushtrojnë profesionin pa pengesa. Nëse do të lejohet kjo praktikë që një avokat të përjashtohet e të mos mund të vërë ankesë, atëherë do të jetë shumë i dëmshëm, se në një mënyrë mund të ndalojë ushtrimin e profesionit”, është shprehur kryetari i Odës.

Ai ka shtuar se e ka pranuar kërkesën nga Ministria e Drejtësisë për raport në lidhje me këtë çështje dhe se së shpejti do ta dërgojë këtë raport, porse nuk ka treguar se cili do të jetë veprimi pasues në rast se vendimi për përjashtimin e Berishës nuk do të ndryshojë.

Trupi gjykues në Gjykatën e Pejës ka përjashtuar avokatin Berisha, i cili e përfaqësonte të akuzuarin Gogaj, me arsyetimin se kishte pasur sjellje jo të duhur karshi saj. Për këtë arsye, tash e disa muaj procesi gjyqësor ndaj tij ka mbetur i bllokuar.

Në seancën e mbajtur në nëntor, gjyqtarja Violeta Hysaj-Rugova kishte thënë se pavarësisht bllokimit që po krijohet nga Oda e Avokatëve, ajo do të vazhdojë me caktimin e seancave dhe do të kërkojë ndihmë nga Ministria e Drejtësisë. Ajo, gjatë seancës së fundit, i kishte shpjeguar të gjitha vendimet që kanë pasuar që nga përjashtimi i Berishës.

“Oda e Avokatëve nuk ka vepruar sipas urdhëresës së gjykatës për caktimin e avokatit dhe të njëjtit kanë reaguar publikisht, duke mos caktuar avokat sipas detyrës zyrtare. Kemi marrë njoftim nga avokati Gëzim Kollqaku se nuk mund të përfaqësonte këtë lëndë, për shkak të vendimit të Odës dhe që mosrespektimi i këtij vendimi mund t’ia revokonte licencën”, kishte thënë ajo.

Po atë ditë, i akuzuari Gogaj kishte thënë se nuk dëshiron avokat tjetër.

“Jo, nuk kam angazhuar avokat tjetër. Kam bërë kërkesë dhe e dua avokatin tim”, është shprehur ai, kur është pyetur nëse kishte angazhuar avokat tjetër.

Ndërkaq zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, të premten ka thënë se i është dërguar letër OAK-së për të caktuar avokat sipas detyrës zyrtare dhe se aktualisht është duke u pritur përgjigja.

“I kemi dërguar letër Odës së avokatëve për të dërguar një avokat mbrojtës, sipas detyrës zyrtare dhe tani po presim përgjigje nga Oda”, ka thënë Sallahu.

Vrasja e të riut, Adonis Tetaj, në vendin e tij të punës kishte tronditur opinionin publik në vend, shkaku që dy ditë para se Gjykata Themelore në Pejë ta shpallte aktgjykimin ndaj të akuzuarit Gogaj, pamje të rënda të ngjarjes janë publikuar nga babai i të ndjerit.

Vrasja e Tetajt fillimisht ishte cilësuar si vrasje nga pakujdesia. Porse ky cilësim është përjashtuar nga Prokuroria pas publikimit të këtyre pamjeve, ndërsa lënda i është caktuar Prokurorisë së Gjilanit, e cila po e mbron rastin në Pejë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018 në kompaninë “Gogaj AG”, i pandehuri Shaban Gogaj e pranon një telefonatë prej një personi tjetër, i cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare. Pas kësaj telefonate, i akuzuari në pamje shihet se acarohet. Në aktakuzë thuhet më tutje se i ndjeri Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë Gogajt, me distancë prej gati 5 metrash, teksa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit.

Sipas aktakuzës, Gogaj, pasi e përfundon bisedën në telefon, nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos në të karikatorin dhe e merr Tetajn në shenjë në kokë, duke e lënë të vrarë.

I akuzuari për vrasje të rëndë, Shaban Gogaj, javën e kaluar ka paditur trupin gjykues, duke i kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim.