Arbëri

Mblidhet Kuvendi, këto pika do të shqyrtohen

Descriptive Text

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot për të mbajtur seancën plenare të radhës.

Seanca do të fillojë me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, për të vijuar me pyetje parlamentare.

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-073 për ratifikimin e këmbimit të Notave Diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti sipas Aktit për ndihmë të jashtme të vitit 1961 dhe Aktit për kontroll të shitjeve të armëve mes Kosovës dhe SHBA-së, do të jetë pikë e radhës, ndërsa më pas do të shqyrtohet edhe Projektligji nr. 08/L-068 për ratifikimin e “Amendamentimit nr. 1 të Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, si dhe Projektligji nr.08/L-069 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Zvicrës përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim mbi programin Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore në Kosovë.

Seanca do të vijojë me shqyrtimin e parë të katër projektligjeve: Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Kosovë, Projektligjit për pijet e forta alkoolike, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbeturina, si dhe Projektligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Për herë të dytë, ndërkaq, pritet të shqyrtohet Projektligji për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2022, do të jetë pikë e radhës e rendit të ditës, për të vijuar me shqyrtimin e raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2020.

Seanca pritet të përfundojë me debatin parlamentar në lidhje me pagat në sektorin publik.