Për herë të parë në historinë e Kosovës, eksportet e produkteve do të arrijnë vlerën e mbi 700 milionë eurove. Kjo shifër është për 65 për qind më e lartë sesa në vitin e kaluar. Rritja e eksporteve, sipas ekonomistëve, ka ndodhur shkaku i çrregullimeve në zinxhirin furnizues. Ata ndërkaq i kanë kërkuar Qeverisë që të bëhet një plan intervenues për bizneset prodhuese në rast se rritet çmimi i energjisë elektrike
Çrregullimet në tregjet botërore kanë nxjerrë në pah produktet kosovare.
Për herë të parë në histori, Kosova do të tejkalojë shifrën prej 700 milionë eurosh të mallrave që janë eksportuar në tregjet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se eksportet janë rritur për 65 për qind më shumë sesa në vitin e kaluar.
“Viti 2020, në periudhën janar-nëntor, Kosova ka eksportuar produkte në vlerë prej 394 milionë eurosh, ndërsa tani që flasim për të njëjtën periudhë, Kosova ka eksportuar 651 milionë euro, pra rritja është për 256 milionë euro më shumë sesa vitin e kaluar, ndërsa në aspektin e përqindjes, rreth 65 për qind”, ka bërë të ditur Stavileci.
Produktet që më së shumti janë eksportuar në këto tregje janë mobiliet e ndryshme dhe pijet joalkoolike, krahas produkteve të çelikut dhe hekurit.
“Vendet që janë duke u eksportuar, është një e dhënë e mirë, pasi që eksportet e Kosovës janë të përqendruara më shumë në vendet e rajonit, derisa vendet e tjera janë me rëndësi, pasi që eksportuesit kosovarë kanë arritur që të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të dy regjionet kemi rritje mjaft të madhe”, ka thënë ai.
Shkaqet e rritjes së eksporteve, sipas kryetarit të Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, janë çrregullimet në zinxhirët globalë të furnizimit si pasojë e pandemisë COVID-19.
“Kanë qenë çrregullimet që janë krijuar nga zinxhirët globalë të furnizimeve, kryesisht si pasojë e pandemisë, edhe pse në rastin e Kosovës disa produkte që janë eksportuar këta dy vjet kanë shfrytëzuar çrregullimet në tregjet globale, më konkretisht me kontinentin e Azisë, si pasojë e përplasjeve në mes të SHBA-së, BE-së dhe Kinës, si njëri nga aktorëve kryesorë”, ka thënë Zeka.
Gjatë vitit 2019, eksporti drejt SHBA-së ishte vetëm 3 milionë euro, ndërsa deri në nëntor ai ka arritur në vlerën prej 100 milionë eurove. Sipas Zekës, eksportet në këtë vend kanë qenë në vlerë më të madhe në produkte.
“Po flasin për dyshekë që eksportohen edhe në SHBA dhe në BE. Po ashtu, edhe industria e plastikës është zhvilluar goxha shumë viteve të fundit. Këtu janë disa prej përparësive konkurruese që ka Kosova, të cilët prodhuesit, qofshin ata vendorë apo në partneritet me kompanitë e jashtme, po i shfrytëzojnë mirë. Është fuqia e lirë apo me kosto të përshtatshme njerëzore dhe këta janë faktorët që e bëjnë koston më të madhe të prodhimit të caktuar”, ka thënë ai.
Por, kjo rritje mund të rrezikohet në rast se do të ketë rritje të çmimit të energjisë, si pasojë e krizës me të cilën po përballet Evropa.
Për këtë, Zeka ka kërkuar nga Qeveria që të ketë një plan intervenues, në mënyrë që ndërmarrësit të mos humbin përparësinë konkurruese dhe të mos bjerë ky trend i eksporteve.
Gjatë tetorit në Kosovë është shënuar një deficit tregtar prej 355.8 milionë eurosh, apo 33.3 për qind më i lartë sesa në tetorin e vitit të shkuar.
Sipas Agjencisë së Statistikave, gjatë tetorit të vitit 2021 janë eksportuar 72.6 milionë euro, ndërsa importuar 428.5 milionë euro mallra. Ndërkohë në tetor të vitit 2020 deficiti tregtar ishte 267 milionë euro.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në vlerën e 22.8 milionë eurove, ose rreth 31.4 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 39.7për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin Gjermania (me 9.4 për qind), Italia (me 6.0 për qind), Holanda (me 2.7 për qind) dhe vende të tjera.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 175.7 milionë euro apo 41.0 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 34.6 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania (11.7 për qind ), Italia (6.1 për qind), Greqia (3.6 për qind), Sllovenia (3.6 për qind) e të tjera.
Në tetor të 2021-tës, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në vlerën prej 24.1 milionë eurosh, apo 33.2 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19.2 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Shqipëria (12.2 për qind), Maqedonia e Veriut (10.8 për qind), Serbia (5.1 për qind) dhe Mali i Zi (4.0 për qind).
Ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s gjatë së njëjtës periudhë arritën në 90.3 milionë euro, apo 21.1 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 31.5 për qind.
Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia (7.3 për qind), Shqipëria (6.3 për qind) dhe Maqedonia e Veriut (5.6 për qind).
Eksportet e Kosovës në vendet e tjera të botës arritën shifrën prej 25.6 milionë eurosh apo 35.3 për qind.
Si partnerë më të rëndësishëm për eksport nga këto vende theksohen Shtetet e Bashkuara (20.3për qind) dhe Zvicra (8.4 për qind). Ndërsa importet e Kosovës nga vendet e tjera të botës arritën vlerën prej 162.3 milionë eurosh, ose 37.9 për qind.
Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia (12.0 për qind) dhe Kina (10.7 për qind).