Arbëri

Osmani për Vulinin: Nuk po arrin të shkëputet nga mendësia e Millosheviqit

Vjosa Osmani

Mohimi nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, i cili një ditë më parë Masakrën e Reçakut e quajti gënjeshtër dhe vrasjen e civilëve shqiptarë një falsifikim.

Osmani ka thënë se tendencat e Vulinit “shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”.

“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht”.

Osmani ka thënë se përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila, sipas saj, nuk po arrin të shkëputet Vulini si besnik i tij.

“Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”, u shpreh ajo.

“Por, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera, NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”, ka thënë tutje Osmani.

Aleksandar Vulin ka deklaruar se masakra e shqiptarëve të Kosovës në fshatin Reçak, e cila shërbeu si shkak në përgjigjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999, ishte “një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.