Arbëri

Mbi gjysma e të rinjve të Ballkanit kërkojnë të punësohen jashtë

“Sfida me të cilën përballen sot të rinjtë, një nga më kryesoret, është papunësia që sjell edhe një pasojë të madhe, emigracionin. Kemi mungesë të integritetit në institucionet e vendit dhe një mungesë të një demokracie të mirëfilltë. Këto besoj janë pasojat kryesore dhe problematikat kryesore që hasin të rinjtë”, ka thënë Albert Hani, sekretar i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO)

Papunësia, emigrimi dhe mundësitë e pakta janë problemet kryesore me të cilat përballen çdo ditë të rinjtë në Ballkanin Perëndimor, derisa rreth 51 për qind e tyre kërkojnë të punësohen të jashtëm, është thënë në takimin ministror rajonal për Rininë dhe Arsimin, të mërkurën në Tiranë.

Në këtë takim, të mbajtur në kuadër të Ditës së Rinisë, pjesëmarrës ishin ministrat dhe zëvendësministrat përgjegjës për Rininë dhe Arsimin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe ministri i Arsimit i Italisë.

“Sfida me të cilën përballen sot të rinjtë, një nga më kryesoret, është papunësia, që sjell edhe një pasojë të madhe, emigracionin. Kemi mungesë të integritetit në institucionet e vendit dhe një mungesë të një demokracie të mirëfilltë. Këto besoj janë pasojat kryesore dhe problematikat kryesore që hasin të rinjtë”, ka thënë Albert Hani, sekretar i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO).

Ai njëkohësisht është shprehur i alarmuar me përqindjen e madhe të të rinjve që duan të punësohen jashtë vendeve të Ballkanit.

"Mbi 51 për qind e rinisë kanë dëshirë të lëvizin nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, ky është një numër alarmues, por edhe një sfidë e re për aktorët që kanë marrë përsipër ta transformojnë rrugën e të rinjve", ka vazhduar ai.

Sekretari i RYCO-s në këtë takim ministrave u ka kërkuar veprime të përbashkëta. Veprime ka kërkuar edhe ministrja e Shqipërisë për të rinjtë dhe fëmijët, Bora Muzhaqi.

“Tani, më shumë se kurrë, të rinjtë janë zemra e Ballkanit dhe ne duhet të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur atë zemër të rrahur. Ky takim nuk është vetëm një konfirmim se rezultate të mëdha arrihen kur bashkëpunojmë dhe bashkojmë forcat për qëllime të përbashkëta, por edhe një dritare shprese për bashkëpunim në të ardhmen që tregon gatishmërinë e të gjithë rajonit për t'u kujdesur për rininë e tij”, ka thënë ajo.

Duke folur për vizionin dhe strategjinë e Ministrisë së saj për arsimin cilësor, Albana Tole, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, ka thënë se ai bazohet në parimet e gjithëpërfshirjes dhe të të mësuarit gjatë gjithë jetës, duke mundësuar zhvillimin e potencialeve të individit, duke kontribuar në mirëqenien personale, ashtu si edhe në forcimin e demokracisë e integrimin e mëtejshëm.

“Takimi i sotëm është i një rëndësie të veçantë, sepse ua dha mundësinë pjesëmarrësve të shkëmbejnë përvoja në nivel rajonal dhe të mbështesin politikëbërjen që reflekton sfidat rajonale në edukimin e të rinjve tanë”, ka thënë ajo.

Marrë parasysh që të rinjtë duhet të përfshihen në politikat e qeverive të rajonit dhe rolin që duhet të luajnë ministritë e arsimit dhe rinisë, ky takim është thënë se shërben si hapi i parë për të sjellë përfaqësuesit më të rëndësishëm qeveritarë të rajonit për të diskutuar mbi rininë rajonale.

Takimi rajonal gjithashtu e ka rikonfirmuar rëndësinë e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal të të rinjve në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrësit lansuan platformën e re online, RYCO, për të rinjtë.

Faqja e internetit, “HAJDE”, është një platformë mediatike rajonale e dedikuar për të rinjtë, e drejtuar nga të rinjtë. Për më tepër, disa nga ministrat po marrin pjesë edhe në ngjarjen rajonale mbi vullnetarizmin, organizuar nga projekti ROUTE WB6 i RYCO.