Arbëri

S’pritet që të ketë takim tjetër Kurti-Vuçiq sivjet

Dialogu

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka shprehur skepticizëm se një takim i ardhshëm në dialog në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet në dhjetor.

Pas mbledhjes së katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit në Bruksel, Borrell ka thënë se s’ka parë gatishmëri nga palët për një takim të ardhshëm.

“Ne gjithmonë organizojmë takime dhe mblidhemi kur është e përshtatshme. S’kemi njoftuar ende. E kemi bërë të qartë që pas dy takimeve sivjet, parakusht është gatishmëria e të dyja palëve të pajtohen për rezultate konkrete. Do të ishte e pakuptimtë të mbajmë takim nëse kushte s’përmbushen e të takohemi prapë për asgjë. Në bazë të informatave që kam marrë edhe nga emisari i posaçëm dhe nga puna e tij e palodhshme, s’ka gatishmëri në këtë pikë. Por ende s’ka përfunduar dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi që të kemi takime të tilla”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryeministri Kurti ka thënë se po që se lehtësuesi e thërret takimin, ai do të shkojë.

Borrell-Kurtit: Marrëveshja e Asociacionit duhet të implementohet

Teksa Borrell ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të implementohet, Kurti ka thënë se dy të tretat e marrëveshjeve nuk janë zbatuar nga Serbia dhe Asociacioni është e vetmja që nuk “kaloi testin e Gjykatës Kushtetuese”.

Në përgjigjen e tij ndaj Kurtit, Borrelli ka thënë se Kosova duhet të dijë rëndësinë e dialogut dhe se s’pajtohet me qëndrimin që pengesat e Kushtetueses e bëjnë të pamundur implementimin e marrëveshjes.

“Më vjen keq, por ne duhet të vazhdojmë të kërkojmë të implementohet. E di që ka marrëveshje të pazbatuara, por kjo është e rëndësishme”, ka thënë ai.

Takimi i fundit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit ka qenë në muajin korrik.