Politikanët kosovarë kanë reaguar pas pensionimit të legjendës së sportit kosovar, xhudistes Majlinda Kelmendi, me ceremoni shtetërore sonte.
Kelmendi ishte tërhequr nga karriera aktive në xhudo pas Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. Sonte iu organizua një ceremoni shtetërore, ku nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u nderua me urdhrin “Shote Galica”.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Majlinda është çikë e artë dhe mbretëreshë e xhudos.
“Ajo na solli lajme të mira e na dhuroi shumë çaste krenarie. Lartësoi e i dha ngjyra flamurit tonë. U bë inspirim, nder dhe krenari e shqiptarëve. Ajo është çika jonë e artë. Mbretëresha e Xhudos. Majlinda Kelmendi që sot përmbylli karrierën e saj si garuese, do të mbetet përgjithmonë heroina jonë. Fitoret e saja do të vazhdojnë të frymëzojnë gjenerata të tëra të sportistëve shqiptarë. Fat e suksese të mëtejshme Majlinda!”- ka shkruar Haradinaj.
Ndërsa nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka quajtur Majlindën vajzë të artë.
“E bërë nga ari. E vetmja e jona, Majlinda Kelmendi”, shkruan ajo në Facebook.
Ka reaguar edhe kryetari PDK-së Memli Krasniqi ka reaguar pasi xhudistja e njohur kosovare Majlinda Kelmendi edhe zyrtarisht i dha fund karrierës së saj së pasur.
Me 29 medalje të arta, 6 të argjendta, 9 të bronzta – përfshi këtu një medalje të artë Olimpike në Rio 2016, i ka dhënë fund karrierës së saj magjike sportistja më e mirë e të gjitha kohërave në vendin tonë, Majlinda Kelmendi.
“Në mbi 20 vjet të karrierës së saj, Majlinda i solli krenari, emocione e lot gëzimi familjes, shoqërisë, qytetit, shtetit e gjithë kombit të saj. Jam jashtëzakonisht krenar që si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit kam pasur mundësinë të punoj nga afër me Federatën e Xhudos së Kosovës. Së bashku kemi krijuar kushte që vlerësojnë kampionët dhe ua mundësojnë atyre garimin nën flamurin e shtetit tonë”, shkruan Krasniqi në Facebook.
Ai thotë se Kosova ka valuar flamurin e saj nëpër qendrat më të mëdha botërore për vite me radhë, përkrah, e shumë herë edhe mbi flamujt e shteteve më të fuqishme, falë punës së Majlindës dhe mjeshtrit Toni Kuka.
“Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për përfaqësimin tënd dinjitoz, Majlinda. Të uroj shumë fat në karrierën tënde të re, si trajnere e xhudos, e së bashku me Tonin presim edhe shumë kampionë nga duart tuaja. Për ne, do të mbetesh gjithmonë e arta e jonë e parë Olimpike, ambasadorja më e suksesshme e shtetit tonë dhe frymëzimi i brezave të rinj të sportisteve e të sportistëve. Faleminderit, kampione”, ka thënë Krasniqi.