Arbëri

30 milionë eurot e Qeverisë Kurti për barna, të pamjaftueshme për kërkesat

Rreth 30 milionë euro, duke përfshirë edhe donacionet, janë shpenzuar në vitin 2019 për furnizimin e spitaleve publike me barna e material shpenzues, në kohën kur Kosova nuk përballej me koronavirusin. Shuma nuk është vlerësuar kurrë si adekuate për mbulimin e të gjitha nevojave.

Ky buxhet Qeverisë Hoti madje i ishte dukur shumë i lartë dhe në vitin më të rëndë për shëndetësinë e kishte përgjysmuar, duke e lënë ShSKUK-në me vetëm 15 milionë euro më 2021.

Për të stabilizuar gjendjen, Qeveria Kurti e rriti buxhetin për disa milionë euro, por megjithëkëtë furnizimi nuk ishte stabil.

Në mbledhjen e Qeverisë ministri i Financave, Hekuran Murati, la të nënkuptohet se shuma prej 30 milionë eurosh është e nevojshme, duke aluduar se furnizimi duhet të stabilizohet.

Kosova do të vazhdojë të përballet me probleme të furnizimit me barna edhe në vitet e ardhshme.

Ndonëse Qeveria e Kosovës e kryeministri Kurti kanë thënë se buxheti për barna të Listës Esenciale do të rritet për 24 milionë euro, edhe në vitin 2022 buxheti për furnizimin e Listës Esenciale për QKUK-në dhe spitalet rajonale do të jetë 30 milionë euro.

KOHA e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë se sa para saktësisht janë planifikuar për furnizim me barna në spitale, e në bazë të përgjigjes se këtij institucioni del që gjendja do të mbetet e pandryshueshme.

“Megjithatë do të këtë rritje për buxhetin për barna brenda në Ministrinë e Shëndetësisë. Por ky program nuk ka të bëjë me furnizimin e spitaleve, por për sistemin parësor shëndetësor e për pacientet me sëmundje të rralla”, thuhet nga MSH-ja.

QKUK-ja vazhdimisht që nga paslufta ka pasur probleme rreth furnizimit me barna e material shpenzues.

Për vite të tëra buxheti i ShSKUK-së nuk e ka kaluar vlerën prej 15 milionë eurosh.

Në vitet 2014-2018 nuk kishte lëvizje të dukshme në buxhetim e që konsiderohej një nga buxhetet me të ulëta në Evropë.

Me revidimin e Listës Esenciale që është kryer më 2019 ishte planifikuar që buxheti për barna të sillej rreth 35 milionë euro, ashtu që të sigurohej furnizim stabil.

Vetëvendosja ishte partia që e kritikoi shpesh nënvlerësimin e shëndetësisë në aspektin e buxhetimit.

Në fushatën për zgjedhjet qendrore lideri i kësaj partie, tash kryeministër Albin Kurti, premtoi se barnat nuk do të mungojnë e buxheti për shëndetësi do të rritej çdo vit.

Por në gjashtë muajt e parë të Kurtit si kryeministër megjithatë barnat munguan shpesh.

E në bazë të planifikimit edhe për vitin 2022 për barna e material shpenzues spitalet rrezikojnë sërish të kenë mungesa. Kjo për shkak se 40 për qind e secilit buxhet shpenzohet për trajtimin e kancerit e rastet me këtë sëmundje në Kosovë janë në trend të rritjes.