Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

30 ditë paraburgim për Mehmetajn në Serbi, Kosova dënon vendimin

Përmes një njoftimi për dënimin e vendimit, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se Gjykata në Serbi ka vendosur për paraburgim prej 30 ditësh të Nezir Mehmetajt.

Vendimin për paraburgimin prej 30 ditësh ndaj Mehmetajt, që nga gjykatat në Serbi akuzohet për krime lufte kundër civilëve, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e ka quajtur marrëzi.

“Zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, dënon vendimin e Gjykatës së Beogradit për paraburgimin prej 30 ditësh të Nezir Mehmetajt. Ministri Pacolli tha se kjo marrëzi duhet të marrë fund”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Kjo ministri ka thënë se janë në kontakt me Brukselin dhe se kanë alarmuar Bashkimin Evropian për arrestimin e Mehmetajt, “si dhe praktikën e vazhdueshme nga Serbia të ndalimit të shtetasve kosovarë”.

“Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe duhet të ndalojë me përndjekjet dhe arrestime politike të shtetasve kosovar”, ka shtuar Pacolli.

“Ministria e Punëve të Jashtme mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të siguruar lirimin e z. Neziraj dhe kthimin e tij në familje”, thuhet në fund të njoftimit.