Të shoqëruar nga kolegët e tyre, policët, E.L dhe A.B., të dyshuar për rrahjen e një të mituri 16-vjeçar në Pejë, janë paraqitur të dielën para gjykatës në seancën për zgjatjen e paraburgimit, pasi Prokuroria Themelore e Pejës të shtunën ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre për 30 ditë.
Prokuroja e shtetit në këtë rast, Lumturije Vuçetaj, ka kërkuar gjatë seancës që të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh, me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar se e kanë kryer veprën penale, derisa mbrojtësit e të dyshuarve e kanë kundërshtuar atë masë.
Mirëpo, kërkesa e prokurores për caktimin e paraburgimit është refuzuar nga gjyqtari i rastit Sejdi Blakaj, i cili ka caktuar tjetër masë ndaj të pandehurve.
“Unë kam vendosur që ndaj të pandehurve Esat Lajçi dhe Arianit Bacaj, të caktoj masën e arrestit shtëpiak me kohëzgjatje prej 24.07 deri më 23 gusht 2020. Duke menduar që edhe me masën e arrestit shtëpiak, do të arrihet ajo që preferon ligji dhe që kërkohet, që prezenca e pandehurve të jetë gjithmonë sa herë që mbahen seancat e ardhshme gjyqësore”, ka thënë Sejdi Blakaj gjyqtar në Gjykatën e Pejës.
Gjyqtari Blakaj tha se preferon të shmangë paraburgimin për këdo, kur kjo mund të bëhet.
“Dhe ligji në këtë drejtim është i qartë kur thotë se sa herë që ka mundësi që me një masë më të butë të arrihet qëllimi, duhet të aplikohet masa më e butë dhe jo më e ashpër. Në rastin konkret nëse të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat pandehen, ata do të përgjigjen në procedurën penale”.
Këtë lëndë fillimisht e kishte gjyqtari kujdestar në këtë gjykatë, Shaqë Curri, por për shkak se ai ka lidhje familjare me njërin prej dy të pandehurve, ky rast i është kaluar gjyqtarit Blakaj dhe për masën që ai caktoi, pas kësaj seance nuk pranuan të deklarohen prokuroria e as mbrojtja e dy të pandehurve.
Dy zyrtarët policorë, E.L. dhe A.B. pjesë e njësisë speciale për reagim të shpejtë, janë arrestuar të premten nga Inspektorati Policor dhe u suspenduan nga puna.
Dy të dyshuarit ngarkohen për lëndimin të lehtë trupor. Polici E.L. ngarkohet edhe me veprën penale keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare dhe kanosje. Kurse, polici A.B. ngarkohet edhe me veprën penale keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, prokurori i shtetit ka marrë edhe aktvendim për fillimin e hetimeve.
E. L dhe A.B dyshohet se më 17 korrik 20 kishin rrahur një të mitur, i cili nuk zbatoi urdhrat e tyre për t’u ndalur. Prindërit e të miturit kanë thënë se policët fillimisht i kishin hedhur sprej syve, pastaj e rrahën brutalisht.