Arbëri

​KQZ-ja ka pranuar vetëm 99 pako të supozuara me fletëvotime për Dragashin deri tash

Foto: Ilustrim
 

Deri të premten në mesditë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vetëm 99 pako të supozuara me fletëvotime që u takojnë votimit jashtë vendit për kryetar të Komunës së Dragashit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka përsëritur se KQZ-ja do të presë fletëvotimet deri më 13 dhjetor, kur parashihet të përfundojë kjo periudhë, e cila është e vlefshme vetëm për 1,090 votuesit jashtë Kosovës që i takojnë komunës së Dragashit.

“Është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor. Deri të premten në mesditë, KQZ ka pranuar 99 pako të supozuara me fletëvotime. Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor. Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”, tha Elezi.