Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka dënuar gjuhën linçuece të grupit “#mekryeministrin”, në Facebook.
“Ky grup, i cili është hapur dhe funksionon në shërbim të partisë në pushtet dhe kryeministrit, Albin Kurti, vazhdimisht ka sulmuar gazetarë të medieve të ndryshme të Kosovës. Edhe pas rihapjes, grupi ka sulmuar një pjesë të medias duke i quajtur ato të Klanit Pronto”, thuhet nga AGK-ja. “Përkrahja publike e deputetes së Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ndaj këtij grupi dhe kësaj gjuhe të përdorur, i vë seriozisht në rrezik gazetarët, andaj është e dënueshme dhe e prapranueshme për AGK-në. Ftojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, të distancohen nga kjo gjuhë linçuese dhe të ndalojnë përkrahjen, qoftë indirekte për sulmet e tilla ndaj gazetarëve”.
Ndërkohë përkrahje ka dhënë edhe Federata Evropiane e Gazetarëve. Presidenti i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka thënë se është e turpshme të tentohet të diskreditohen gazetarët në mënyrë të njëjtë.
“Është thjeshtë një sulm kundër lirisë së shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve të Kosovës për të pasur qasje në informata. E turpshme!” – ka shkruar Gutierrez.
Ndërkohë ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
“Seriozisht AGK? Po merreni me një grup të krijuar në Facebook edhe po më cilësoni kinse unë po mbështes gjuhën linçuese ndaj gazetarëve? Unë po i visha në rrezik gazetarët? Ku ishit ju AGK kur dje emri im u përmend në secilin portal? A nuk është ky një lloj linçimi që portalet po e bëjnë ndaj meje dhe një grupi të krijuar nga disa djem e vajza që asnjë të keqe nuk i kanë bërë askujt? A nuk është linçim kur telefoni im nuk ndalet sepse "gazetarët" thërrasin edhe pyetjet janë jo etike? AGK do të ishte mirë të punoni në ngritjen e etikës në media dhe besueshmërisë. Mos u frikësoni ne nuk e rrezikojmë e as nuk e kërcënojmë askënd. Nuk mund të gjeni asnjë moment kur unë kam linçuar e kërcënuar gazetarë. Nëse gjeni ju lutem dërgojeni menjëherë ama menjëherë në gjykatë. Ju lutem. Ju thirreni në emër të lirisë së shprehjes e në anën tjetër cënoni lirinë e tjetrit”, ka shkruar Pacolli në Facebook.