Një i burgosur në Dubravë ka vdekur të mërkurën në Spitalin Rajonal të Pejës, ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Siç bëhet e ditur në njoftim, 71-vjeçari S.L. po trajtohej për sëmundje të shumta.
“Kohëve të fundit ka pasur komplikime si pasoje e metastazave tumorale, të cilat janë shprehur me ascit (lëng në abdomen) dhe rertentio urinae, si dhe komplikime të tjera, të cilat i kanë vështirësuar funksionimin për të cilin është kujdesur stafi mjekësor i stacionarit, në vazhdimësi. Si pasojë e kësaj, dy javët e fundit ka qenë i shtrirë nën kujdesin e vazhdueshëm në Spitalin Rajonal të Pejës, ku përkundër ofrimit të ndihmës mjekësore, i njëjti ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
S.L. ishte dënuar për vrasje të rëndë.
Më 2008, S.L. kishte vrarë bashkëshorten. I akuzuari ishte dorëzuar në policinë e Malit të Zi, ndërsa më pas ishte ekstraduar në Kosovë.
Sipas njoftimit, tash po zhvillohen procedurat ligjore, ndërsa autopsia do ta verifikojë shkakun e vdekjes.