Arbëri

Sivjet u infektua me HIV edhe një fëmijë nën 15 vjeç

Descriptive Text

1 Dhjetori, Dita Botërore e AIDS-it, e a gjetur Kosovën me tetë raste të reja pozitive të regjistruara gjatë këtij viti.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në një raport mbi epideminë e HIV/AIDS-it, tregon se që nga viti 1986, kur në Kosovë është paraqitur rasti i parë, janë shënuar 139 raste pozitive. 50 prej tyre kanë humbur betejën me këtë virus.

Nga të infektuarit e këtij viti, është edhe një i moshës nën 15-vjeçare.

“Në vitin 2021, janë raportuar 8 raste me HIV infeksion, prej tyre 7 janë nga komuniteti MSM (marrëdhënie mes meshkujve) dhe një fëmijë nën moshën 15 vjeç”, thuhet në raportin e IKSHPK-së. “Kosova klasifikohet si vend me prevalencë te ulët të HIV-it në mesin e popullatës së përgjithshme dhe prevalencë të ulët në mesin e popullatës kyçe: meshkujt që bëjnë seks me meshkuj (MSM), personave që injektojnë droga (PID) dhe femrave punëtore të seksit (FSK). Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se ne nuk kemi epidemi të gjeneralizuar apo të përqendruar të infeksionit HIV”.

Në nivel botëror, llogaritet se jetojnë rreth 38 milionë persona me HIV. Në fund të vitit 2020 ishin rreth 38 milionë.

Që nga shfaqja e kësaj pandemie në fillim të viteve ’80, në botë janë regjistruar 79.3 milionë raste pozitive. Gjatë vitit 2020, kanë vdekur 680 mijë persona si pasojë e HIV-it, ndërkohë janë shënuar edhe 1.5 milionë raste të reja.

“Llogaritet se rreth 62% të infeksioneve të reja në mbarë botën i takojnë grupmoshave 15-49 vjeç dhe grupacioneve të veçanta (narkomanët, punëtorët e seksit, transgjinorët, të burgosurit, meshkujt që kanë seks me meshkuj)”, thuhet në raport.