Arbëri

SBASHK-u refuzon vlerësimin e mësimdhënësve, propozon inspektim në klasë

 

Njohësit e çështjeve të arsimit po e konsiderojnë të domosdoshëm vlerësimin e performancës për mësimdhënësit, në mënyrë që të përmirësohet cilësia. Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës janë shprehur kategorikisht kundër mundësisë për testim të mësimdhënësve. Ndërkaq, nga Ministria e Arsimit kanë thënë se vlerësimi i performancës është i nevojshëm, porse një gjë e tillë duhet të bëhet nga inspektorati

Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve po konsiderohet i domosdoshëm për rritjen e cilësisë në arsim. Sipas Egzon Gashit, themeluesit të organizatës “Teach for Kosova”, rezultatet e kësaj metode do të kishin ndikim edhe në testin “PISA”.

“Po, mendoj që është shumë e nevojshme, sot për sistemin e arsimit në Kosovë. Shpesh herë po flitet për dy metoda të ndryshme ose të bëhet testimi ose vlerësimi i performancës dhe unë mendoj që vlerësimi i performancës është shumë më i duhur se testimi i mësimdhënësve...”, ka thënë Gashi.
Më tej ka shtuar se është kundër që mësimdhënësit t’ju nënshtrohen një testi psikologjik. Por, sipas tij, nëse hetohet ndonjë rast kur ka raste që mësimdhënësi ka probleme të tilla, çështja duhet të adresohet te Drejtoria Komunale e Arsimit dhe rastet të trajtohen në mënyrë individuale.
Kundër idesë së vlerësimit të arsimtarëve e profesorëve përmes testit me shkrim ka dalë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Sipas tij, vetë ideja për testim është ofendim për mësimdhënësit. Alternativë më e mirë, sipas tij, është të inspektohet puna e tyre.
“Në vend të kësaj, që do të ishte nënçmuese e degraduese, ne vazhdimisht po kërkojmë edhe nga ministrja Nagavci që të forcohet sektori i inspektorëve profesionalë që inspektorët profesionalë të shkojnë nëpër orë, t’i shohin nga afër sesi po punojnë mësimdhënësit dhe dobësitë që ata i tregojnë gjatë atyre orëve. Këshilltarët pedagogjik apo inspektorët t’ua thonë në mënyrë që ata t’i tejkalojnë ato mangësi dhe të bëhen edhe më të mirë sesa janë tani. Kurse testi do të ishte degradues dhe nënçmues, sepse do t’i vinte në pikëpyetje edhe provimet edhe diplomën që e kanë marrë në universitete”, ka deklaruar kryetari i SBASHK-ut.