Arbëri

Shoferët e autobusëve ndihen të pasigurt pas vrasjes në Gllogjan

Ndjenjë pasigurie ka shkaktuar te shoferët e autobusëve në Gjakovë, vrasja e së premtes në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Si pasojë e të shtënave me armë në drejtim të një autobusi, të premten u vranë shoferi dhe dy nxënës. Shoferi Gani Gjokaj vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa nxënësit në spital, pasi nuk arritën t’u mbijetojnë plagëve të marra.

Asnjë nga kolegët e Gjokajt s’ka mundur të japë një përgjigje për motivet eventuale të vrasjes.

Ndërkaq drejtori i Stacionit të Autobusëve, Flamur Bicurri, ka thënë për KOHËN se nuk ka gjetur asnjë element nëse i ndjeri ka pasur probleme me ndokënd.

“Nuk më ka thënë askush se ka pasur ndonjë problem për linja autobusësh apo diçka tjetër. As tek unë kurrë nuk ka pasur ndonjë ankesë. Ende jam i tronditur në lidhje me rastin dhe shpreh ngushëllimet më të thella për familjen”, është shprehur Bicurri.

Kolegët e të ndjerit hezitojnë të dalin para kamerës, por prapa saj flasin fjalët të mira për të. Genc Bakalli, një nga shoferët në këtë stacion ka thënë se nuk ka dëgjuar kurrë ndonjë fjalë të keqe për të ndjerin, e as se mos ai ka pasur ndonjë konflikt.

Një shofer tjetër, pa dashur të prezantohet, ka thënë se vrasja e mbrëmshme është një “sinjal që të ikim sa më parë nga ky vend”.

Agjensioni “Erblini-SHPK Gjakovë” të shtunën ishte i mbyllur, ndërsa nuk shihej as ndonjë autobus në peronin nr.5 apo 12 të Stacionit të Autobusëve ku zakonisht e parkonte autobusin Gjokaj.