Arbëri

Si i shohin qytetarët marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri

 

Një anketë e realizuar në Kosovë dhe Shqipëri për marrëdhëniet mes dy shteteve, ka nxjerrë në pah qëndrimet e qytetarëve në të dy anët e kufirit për raportet ndërshtetërore para dhe pas marrëveshjeve që janë duke u nënshkruar mes dy qeverive.

Nën 35 për qind është shifra e atyre që mendojnë se në vitin e kaluar janë përmirësuar raportet ndërshtetërore, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve mendojnë se ato s’kanë lëvizur fare. Përderisa në Shqipëri 45.6 për qind e të anketuarve thonë se raportet vitin e kaluar kanë qenë njëjtë sikur më herët, në Kosovë kështu mendojnë 31 për qind. Se situata është përkeqësuar vitin e shkuar në raportet ndërshtetërore, mendojnë 18 për qind e qytetarëve të anketuar në Kosovë dhe 11.3 për qind e të anketuarve në Shqipëri. Se gjendja është përkeqësuar shumë në Kosovë mendojnë tre për qind, ndërsa në Shqipëri më pak se një për qind.