Arbëri

Sveçla thotë se deri në fund të vitit do të rregullohet plotësisht furnizimi me letërnjoftime

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, është zotuar se deri në fund të vitit do të rregullohet plotësisht procesi i furnizimit me letërnjoftime për qytetarët e Kosovës, pas disa muajsh ngecjeje për shkak të mungesës së materialeve.

Në një shkrim në Facebook, Sveçla ka dhënë sqarim për situatën duke shtuar se me një kontratë kornizë do të përmirësohet furnizimi me letërnjoftime dhe deri në fund të vitit s’do të ketë probleme më.

Në sqarim, Sveçla ka thënë se pas marrjes së detyrës, në mars të këtij viti, ishte njoftuar për problemet me pajisje me dokumente personale për shkak të mungesës globale të çipave elektronikë. Ai ka thënë se ka qenë vendim që deri në furnizim të mjaftueshëm me letërnjoftime, rezervat e stokut janë përdorur vetëm për raste emergjente si: udhëtimet tokësore përmes Serbisë, rastet e trajtimeve shëndetësore jashtë Kosovës, rastet e shkollimit jashtë Kosovës dhe pajisjen me letërnjoftime për 18 vjeçarët që aplikojnë për herë të parë.

Ai po ashtu ka thënë se pasi ka marrë detyrën e ministrit ka gjetur një proces tenderimi për furnizim me dokumente personale me vlerë prej 21 milionë eurove. Për këtë proces ka thënë se kanë gjetur parregullsi dhe e kanë anuluar procesin. Sveçla ka shtuar se është negociuar një kontratë kornizë me të cilën janë siguruar më shumë dokumente e më lirë.

“Pasi kam marrë detyrën e Ministrit, kam gjetur po ashtu një proces tenderimi për furnizim me dokumente personale me vlerë prej 21 milion euro. Pas analizave tona nga të gjeturat e raportit të auditorit të përgjithshëm i publikuar në janar 2019, të gjeturat e raportit të komisionit të formuar për analizimin dhe vlerësimin e aktivitetit të prokurimit për pajisje me dokumente, të gjeturat nga analiza financiare e kontratës që ishte në implementim nga viti 2016 në raport me aktivitetin e iniciuar më 15 mars 2021, dhe të gjeturat nga SWOT analiza për vazhdim ose anulim të procedurës, kemi gjetur disa parregullsi që kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e vlerësimit të nevojave, mungesën e vlerësimit të duhur të tregut, vlerësimin e pajisjeve ekzistuese, nuk kishte analiza mbi shërbimin e mirëmbajtjes së sistemit etj. Me këto të gjetura, rrezikohej mosmarrja e vlerës për paranë e shpenzuar që është një ndër parimet thelbësore të aktivitetit të prokurimit. Të gjitha këto parregullsi, kanë shpier në vendimin për anulim të tenderit. Kemi arritur të negociojmë një kontratë kornizë një vjeçare në vlerë 3,329,080 euro dhe atë për sasi më të madhe të dokumenteve dhe kosto shumë më të ulët të mirëmbajtjes. Pra kemi kursyer 1,382,400 euro vetëm në mirëmbajtje. Sa për sqarim, me kontratën paraprake, kostoja vjetore e mirëmbajtjes pa avancim të sistemit dhe pa furnizim me pajisje të reja, ishte 1,500,000 euro në vit, kurse me kontratën e nënshkruar para dy muajve, për të njëjtin shërbim do të paguhen 117,600 euro në vit. Pra kursimi vjetor është 1,382,400 euro për shërbime të njëjta”, ka deklaruar ai.

Sveçla ka thënë se në stokun e Agjencisë së Regjistrimit Civil gjenden 57 mijë e 775 letërnjoftime, ndërsa janë rreth 70 mijë e 90 aplikime.

“Në baza ditore, ARC personalizon 3000 letërnjoftime dhe ne parashikojmë që deri në fund të këtij viti të normalizojmë pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime. Në fund të këtij viti, ne do të kemi edhe furnizime të reja dhe nuk parashohim asnjë problem lidhur me pajisjen me letërnjoftime për qytetarët tanë”, ka përfunduar ai.