Arbëri

Murati: Nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura

Descriptive Text

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se greva e paralajmëruar për të enjten nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon mbajtjen e grevave.

Sipas tij, me qasje të tillë, humbin edhe pacientët edhe personeli shëndetësor.

Murati ka shkruar në Facebook se që nga marrja e mandatit nga Qeveria Kurti, janë ndarë mbi 30 milionë euro në shëndetësi, derisa ka akuzuar sindikatat se janë të kapura nga politika. 

“Që nga marrja e mandatit kemi ndarë mbi 30 milionë euro shtesë në shëndetësi, për barna esenciale, luftën ndaj covid 19, dhe së fundmi edhe për shtesat e personelit shëndetësor në vlerë prej 10% të pagës. Si Qeveri, jemi të përkushtuar që të punojmë për kushte më të mira për të gjithë punonjësit, si në sektorin publik, ashtu edhe privat. Paralajmërimi i grevave që më shumë kanë synime politike sesa që brengosen për realizimin e të drejtave të personelit shëndetësor, nuk na shpie askund. Për më tepër, greva e paralajmëruar për nesër nga FSSHK, nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon mbajtjen e grevave, saktësisht nenet 6, 7 dhe 15 të ligjit për grevat. Me qasje të tillë, humbin edhe pacientët edhe personeli shëndetësor”, ka shkruar Murati.

Ai ka shtuar se në 5 vitet e fundit, FSSHK-ja ka pranuar mbi 3 milionë euro në emër të kontributeve që u janë ndalur nga paga personelit shëndetësor dhe u janë transferuar FSSHK-së.

“Dyshoj se ndonjëherë personeli shëndetësor janë njoftuar se ku kanë shkuar këto para. Dhe krahas përfitimeve financiare, ata shtyjnë përpara edhe axhenda politike siç kishin bërë në vazhdimësi me partitë e pushteteve të kaluara kur në kohë fushate nënshkruanin “marrëveshje” të cilat kurrë nuk i zbatuan. Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura”, ka shkruar Murati.