Muhamet Krasniqi, ekspert i komunikacionit, thotë se është herët të flitet për çka do rreth aksidentit që ndodhi sot në Bullgari, ku një autobus pati një përplasje e më pas u përfshi nga zjarri, duke lënë të vdekur të paktën 45 persona.
Autobusi ishte i një kompanie shqiptare nga Maqedonia, ndërsa edhe pasagjerët ishin shqiptarë që po ktheheshin nga Stambolli.
Krasniqi në një intervistë në emisionin “60 Minuta”, tha se duke marrë parasysh orën kur ndodhi aksidenti – 2 e mëngjesit, “pasagjerët mund të kenë qenë në gjumë dhe kjo ua ka pamundësuar t’u ikin flakëve që më pas e përfshin autobusin”.
Ai foli edhe për përpjekjet që ka bërë Bullgaria në 10 vitet e fundit për të ulur numrin e aksidenteve në rrugë.
“Ka bërë shumë, natyrisht jo sa fqinji Greqia, por ka punuar shumë në këtë drejtim”, tha ai.
Krasniqi tha se këto aksidente duhet t’u shërbejnë më së shumti institucioneve për të nxjerr mësime në mënyrë që të parandalohen ngjarjet tragjike.
“Është detyrë e ministrive përkatëse që merren me lëshimin e lejeve për kompanitë, të shohin e të punojnë më shumë në zbatimin e rregulloreve”, shtoi Krasniqi.