1 perditesime
17:35

Nga 12 anëtarët e familjes Jahiu që vdiqën në aksidentin në Bullgari, 6 ishin fëmijë

Një familje 12-anëtarëshe u shua në aksidentin e rëndë mëngjesin e së martës në Bullgari, teksa po udhëtonte nga Turqia drejt Maqedonisë së Veriut pas ekskursionit që kishin kaluar atje.

Familja 12-anëtarëshe Jahiu ka humbur gjashtë fëmijët që ishin në atë autobus bashkë me gjashtë familjarët e tjerë. Sipas informacioneve që KOHA ka marrë nga të afërmit e viktimave, të gjashtë fëmijët ishin nën 12 vjeç.

Në shkollën ku fëmijët kishin vijuar mësimin, sot është ndërprerë mbajtja e mësimit në nderim të tyre, raporton KOHA.

Deri tash, nuk ka informacione zyrtare mbi shkaqet që çuan në aksidentin e autobusit. Pronari i kompanisë së autobusit është intervistuar nga organet kompetente dhe ka thënë se nuk ka pasur më parë incidente me linjat e autobusëve të tij, teksa hetimet po vazhdojnë.

Dyshohet se në autobus ka pasur shishe të mbushura me naftë, ndonëse një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

 

17:23

Xhezairi: Aksidenti më i madh në histori të Maqedonisë

Seladin Xhezairi ka shumë vjet si gazetar, por një aksident të tillë çfarë ndodhi sot në Bullgari, kur një autobus me shqiptarë u aksidentua dhe më pas u mbulua nga flakët, nuk ka ndodhur në këtë vend.

Si pasojë e aksidentit, humbën jetën 45 shqiptarë, që po ktheheshin nga Stambolli ku ishin për pushime.

“Tre vjet më parë në rrugën Shkup – Tetovë ndodhi një aksident ku humbën jetën 14 persona, por një i tillë si ky sot nuk i ka ngjarë Maqedonisë as si shtet i pavarur e as sa ishte pjesë e Jugosllavisë. Është ditë e rëndë për Maqedoninë, por edhe për gjithë shqiptarët, pasi 99 për qind e të vdekurve sot janë shqiptarë”, tha Xhezairi në një intervistë për emisionin “60 Minuta” në KTV.

Mes të vdekurve janë edhe disa fëmijë, ndërkohë që shpëtuan vetëm 7 pasagjerë.

Xhezairi ka thënë se në bazë të asaj që po raportohet, shkaku i aksidentit mund të sillet nga një problem teknik e deri te shpërqendrimi i shoferit.

“Por është herët të konstatohet diçka derisa ekipet po hetojnë aksidentin. Sot, ekipit hetues në Bullgari i është bashkuar edhe një ekip nga Shkupi”, ka thënë ai.

Sipas mediave bullgare, rruga ku ndodhi aksidenti ishte në gjendje të rregullt, por Xhezairi kujton edhe një statistikë për këtë vend.

“Mësova sot se gjatë vitit të shkuar në Bullgari kanë humbur jetën 460 persona në aksidente”, tha ai.