Arbëri

Projeksioni i KOHËS: Vitia fiton ngushtë në Prishtinë

Rezultat tejet i ngushtë pritet të dalë nga balotazhi në Prishtinë. Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje, sipas projeksionit të KOHËS, do të jetë kryetar i ri i Prishtinës. Në rundin e dytë të zgjedhjeve, ai ka marrë 52.4 për qind të votave. Rivali i tij, Përparim Rama, i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka marrë 47.6 për qind të votave.

Margjina e gabimit në këtë projeksion është 3 pikë të përqindjes, dhe rezultati aktual është brenda margjinës. Për këtë projeksion janë bërë 1065 anketa.

Sa i përket ndarjes gjinore të votuesve, te meshkujt Rama mori 51.7 për qind, kundrejt Vitisë me 48.3 për qind. Ndërsa te gratë, Vitia mori 57.2 për qind, e Rama 42.8.

Në shumicën e grupmoshave Vitia doli më i votuari. Dallim përbënte vetëm grupmosha 56-64 që ia dha shumicën e votave Ramës.

Vitia mori 54.2 për qind të votave në zonën urbane, ndërsa Rama 54.1 në atë rurale.