Arbëri

Ministria e Arsimit për grevën e paralajmëruar: SBASHK-u duhet të tregojë durim

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka komentuar paralajmërimin e SBASHK-ut se do të futen në grevë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Sipas Pupovcit, SBASHK-u duhet të tregojë durimi pasi Ligji i Pagave, që është kërkesë e tyre për t’u futur në buxhetin e vitit 2022, është duke u punuar dhe brenda këtij viti pritet të ketë disa rezultate.

"Adresa e SBASHKU-t me Qeverinë është përmes Ministrisë së Arsimit. Ata kanë shprehur pakënaqësi sa i përket Ligjit të Pagave që ka të bëjë me të gjithë sektorët. Unë sipas informacioneve që kam, është duke u punuar në ligj dhe brenda këtij viti pritet të ketë disa rezultate. SBASHK-u duhet të tregojë durim", tha ai.

Sa i përket procesit mësimor, Pupovci tha se mësimi në të gjitha shkollat është duke u zhvilluar me skenarin e rikthimit.

"Procesi mësimor në të gjitha shkollat është duke u zhvilluar me skenarin e rikthimit, nuk ka pasur asnjë rast që për shkak të infeksionit të përdoret ndonjë nga skenarët", tha ai.

Popovci bëri të ditur se ditën e hënë mësimi do të mbahet online në ato shkolla ku do të organizohet procesi i votimit.