Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka paralajmëruar protesta e grevë të mësimdhënësve nëse Qeveria nuk reflekton në miratimin e Ligjit të Pagave dhe implementimin në tërësi të Kontratës Kolektive. Për këto paralajmërime Ministria e Arsimit i ka kërkuar durim kësaj sindikate pasi deri në fund të vitit mund të ketë lëvizje për Ligjin e Pagave
Protesta e greva ka paralajmëruar sërish Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Në shenjë pakënaqësie për mosmiratimin e Ligjit të Pagave dhe për mosimplementimin në tërësi të Kontratës Kolektive kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, tha se më 4 dhjetor do të mbajnë një protestë. Nëse Qeveria nuk reflekton, ata kanë paralajmëruar për një protestë tjetër më 18 dhjetor e më pas fillimin e grevës së mësimdhënësve. Grevën e paralajmëruar SBASHK-u e ka në plan ta nisë në fillim të periudhës së dytë të këtij viti shkollor. Për orët që do t’i humbasin potencialisht në grevë, Jashari tha se nuk do t’i zëvendësojnë.
“Ta fillojmë grevën në mënyrë të përshkallëzuar sikurse edhe viteve të tjera, me shpresë që do të bëhet më e mira dhe nuk do të kemi nevojë të shkojmë në grevën sikur ishte ajo trijavorja. Uroj që Qeveria e Kosovës të reflektojë dhe të mos kemi nevojë as për 4 dhjetorin...Le ta dijë Qeveria se po na solli në të njëjtën pozitë atëherë dihet se orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen qoftë njëorëshe, qoftë njëditëshe, qoftë edhe greva javore. Pra, orët nuk do të zëvendësohen”, ka thënë Jashari.
I revoltuar, Rrahaman Jashari tha se kryeministri Albin Kurti e ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk po takohen me ta, por zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ia përkujtoi se adresa e SBASHK-ut për të komunikuar me Qeverinë është përmes Ministrisë së Arsimit. Pupovci i kërkoi Sindikatës së SBASHK-ut durim pasi tha se deri në fund të vitit mund të ketë lëvizje sa i përket Ligjit të Pagave.
“Sipas informacioneve që kam është duke u punuar në këtë ligj dhe besoj që deri në fund të këtij viti do të ketë edhe disa rezultate fillestare dhe disa afate brenda të cilave do të mund të aprovohet ligji. Të gjithë e dimë fatin e ligjit të kaluar, i cili është aprovuar në Kuvend, por pastaj është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe nuk do të duhej që edhe ligji tjetër të jetë i tillë që të shfuqizohet nga gjykata. Prandaj, në këtë aspekt besoj që edhe SBASHK-u duhet ta tregojë durimin e duhur”, ka thënë ai.
Sa u përket deklarimeve të Qendrës NARIC se janë mbi 20 mijë diploma të pavlefshme të lëshuara nga kolegjet private, zëvendësministri tha se ky problem shfaqet atëherë kur studentët kërkojnë të shkojnë jashtë shtetit për shkak të disa lëshimeve. Ai tha se janë në proces të formimit të një komisioni, i cili do t’i shqyrtojë kërkesat individuale të studentëve në mënyrë që të adresohet ky problem.
“Të gjitha ato diploma që janë lëshuar nga institucionet e akredituara dhe të licencuara janë diploma të vlefshme, aty nuk kemi çka të flasim. Tani paraqitet problemi kur kërkohet që studenti të shkojë jashtë vendit, atëherë parashihet një procedurë që MASHTI dhe ajo e Punëve të Jashtme duhet ta verifikojnë diplomën dhe shpeshherë këto diploma nuk mund të verifikohen për shkak të lëshimeve që janë bërë gjatë procesit”, ka thënë Pupovci.
Zëvendësministri Dukagjin Pupovci ka konfirmuar se studentët do të paguajnë paraqitjen e provimit për herën e dytë, vendim që, sipas tyre, është marrë me qëllim që studentët të mos paraqesin provimet vetëm për ta provuar fatin. Tutje ai bëri të ditur se procesi mësimor në të gjitha shkollat është duke u zhvilluar në skenarin e rikthimit dhe se mësimi ditën e hënë do të mbahet online në ato shkolla që do të përdoren si qendra të votimi për balotazhin e së dielës.