Arbëri

Përshëndetja me ish-kryeredaktorin

Kolegët e deritashëm në KOHA e kanë përcjellë ish-shefin e Deskut Informativ, Agron Bajrami, duke i dëshiruar suksese edhe në diplomaci, ku ai do ta vazhdojë karrierën pas tërheqjes nga gazetaria. Bajrami ka shprehur mirënjohjen e tij jo veç për themeluesin e kolegët e deritashëm, por edhe për ata që në të ardhmen do të jenë pjesë e KOHËS, ngase, siç ka thënë, pjesë e saj përherë do të ndihet edhe ai

“Karikaturat e Jemit gjithmonë e kanë ilustruar më së miri, krejt atë që e kemi pa…”

Një dhuratë të KOHËS e ka marrë ish-shefi i Deskut Informativ të Grupit KOHA, Agron Bajrami, në përcjelljen miqësore që i organizuan të enjten kolegët e deritashëm të tij.

Pasardhësja e tij në pozitën e kryeredaktores, Brikenda Rexhepi, në emër të KOHËS i dëshiroi suksese në të ardhmen, derisa ia dhuroi karikaturën e punuar nga Jeton Mikullovci.

“Agron, duke dashur të të falënderoj, të uroj shumë shëndet dhe suksese edhe në të ardhmen. Kemi punuar shumë gjatë, qe 20 vjet, përtej kolegëve jemi bë edhe miq dhe me dashamirësinë më të madhe, suksese”, ka thënë Rexhepi.

“Faleminderit shumë. faleminderit për fjalët dhe në të vërtetë s’di çka të them në këtë moment. Prej familjes largohesh me arsye të caktuar. Unë po besoj që jam ndier komod që të them se mund të shkoj sepse e di kë po e lë, e di se bashkë kemi punuar në standarde të caktuara që i kemi mbajtur gjithë këto vjet, edhe në kohët më të vështira dhe e di se do të vazhdoni ashtu. Ka qenë nder i madh të punoj bashkë me krejt ju dhe të ndaj krejt ato vite edhe me ata që s’janë më këtu, edhe ju që jeni, e edhe ata që do të vijnë sepse unë do të jem pjesë e KOHËS edhe më tutje, qoftë edhe në distancë, edhe si lexues, shikues, përcjellës e gjithmonë do të ndihem krenar që kam qenë pjesë e kësaj historie”, është shprehur Bajrami.

Para dy javësh Bajrami u tërhoq nga gazetaria për të vazhduar me karrierën në diplomaci. Ka qenë pjesë e KOHËS që nga viti 1994 e në 17 vjetët e fundit ka qenë kryeredaktor i “Kohës Ditore”, më vonë edhe i KTV-së dhe i Koha.netit.

Politika redaktuese e KOHËS vazhdon të mbetet përgjegjësi e Kolegjiumit të Redaktorëve me në krye Brikenda Rexhepin dhe zëvendëskryeredaktor Elmaz Isufin, të cilët po ashtu ka më shumë se dy dekada që janë pjesë e kësaj shtëpie mediale.