Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se VV-ja në këtë komunë ka arritur ta mposhtë njërën prej figurave kryesore të LDK-së.
Në “Zgjedhjet në KOHË” të KTV-së Hyseni e ka kritikuar kundërkandidatin e tij, Lutfi Haziri, duke thënë se ai ka deklaruar që është kandidat përtej Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Kemi mposhtur njërën prej figurave më të njohura të LDK-së. Problemi është që nëse e krahasojmë në këtë kontekst, për shembull një deklaratë e tij ka qenë se ai është kandidat përtej LDK-së. Është koha që njerëzit që e shohin më shumë vetën se partinë, të lirojnë vendin dhe të vijë ai brez i ri që nuk e sheh as subjektin si alfa dhe omegën po as veten e tij”, ka thënë Hyseni.
Ai ka shtuar se është VV-ja në Gjilan është më e përgatitur dhe ka program më të mirë për qeverisje, duke thënë se beson thellë në fitore në balotazhin e 14 nëntorit.
“Ishte rezultat i pritur, pavarësisht faktit që thuhej se në Gjilan nuk do të kishte garë, por jo vetëm që ka garë por ka edhe fitore për VV-në. K y rezultat nuk është reflektim i vërtetë i përkrahjes që kemi në Gjilan. Unë e kam ditur që gara do të jetë e koncentruar mes nesh dhe LDK-së. Besoj që ka qenë një lloj trendi në gjithë Kosovën. Në shumicën prej komunave kemi koncentrim të madh të votave në dy subjekte. Unë besoj fuqishëm se puna jonë do të na nxjerr fitues padyshim”, ka thënë Hyseni.
Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, Alban Hyseni ka fituar 44.7% të votave ndërkaq kandidati i LDK-së, njëherësh kryetari aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri ka fituar 43.5% të votave.