Arbëri

Elezaj pret fitore bindëse në balotazhin e Klinës

Kandidati për kryetar të Klinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh kryetari aktual, Zenun Elezaj, beson se do të dalë bindshëm fitues në balotazhin e 14 nëntorit.

Elezaj ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se që nga paslufta në Kosovë, asnjë kryetar i Klinës nuk ka arritur të marrë vota në zgjedhje sa ka marrë ai në rundin e parë, më 17 tetor.

Ai ka marrë 43,3% të votave, derisa kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Esat Raci ka marrë 27,44% të votave.

“Besoj që rezultati i arritur në fazën e parë dhe rritja rreth 44% është një garanci e mirë por jo e sigurt sepse në garë jemi ende. Jemi mobilizuar dhe jemi duke takuar qytetarët. Besoj fuqishëm se do të dalë fitues. Asnjëherë pas luftës, asnjë kandidat për kryetar komune nuk ka arritur këtë përqindje në Klinë dhe tanimë duke u bazuar në të gjithë këto po e shoh se qytetarët janë të kënaqur me punën dhe ky është argumenti më i mirë”, ka thënë Elezaj.

Ai ka thënë se AAK-ja në Klinë nuk ka bërë koalicion me asnjë parti për balotazh.

“Duke e parë orientimin tonë programor, jam i bindur se një pjesë e madhe e votave të dy partive që nuk janë në garë do të jetë pjesë e cila na takon neve. Jo nuk kemi koalicion dhe po besoj që nga të dy partitë që nuk janë në garë, VV dhe LDK do të kemi vota për balotazh”, është shprehur Elezaj.


Elezaj flet për vendimin e Gjykatës Themelore që e shpalli fajtor për konflikt interesi

Kandidati i AAK-së për kryetar të Klinës, Zenun Elezaj, ka folur lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës e cila, një vit më parë e ka shpallur fajtor për konflikt interesi, për shkak të punësimit të vajzës së tij në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë.

ka thënë se ky vendim është apeluar dhe se nuk ndihet aspak fajtor për këtë.

“Vendimi është apeluar dhe Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë aktgjykimin, besoj që në fazën tjetër do të dëshmohet se nuk jam përgjegjës në atë proces, në momentin që vajza i me ka hyrë në intervistë unë e kam bartur kompetencën tek nënkryetari i komunës. Unë do të rezervohem në deklarimet e mia sepse besoj që vendimi i Apelit është një vendim që i ka dhënë sugjerimet. Edhe ajo vajzë që është punësuar para tri viteve, tash është në Gjermani. Vërtetë nuk ndihem fajtor në këtë proces por Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë këtë proces”, ka thënë Elezaj.

Ndërkohë ai ka folur edhe për punën e tij 4-vjeçare në krye të Klinës, duke thënë se ka pasur investime të konsiderueshme.

“Ne kemi pasur investime të konsiderueshme në këto katër vite, mbi 200 km rrugë i kem i asfaltuar rrugë, nuk ka rrugë të paasfaltuar në qytetin e Klinës. Kem i bërë investime të tjera edhe në ndërtimin e parkut të qytetit, fushave sportive, në shëndetësi, në rinovimin e QKMF-së në Klinë. Do të vazhdojë edhe ndërtimi i Shtëpisë për të Moshuar dhe një QMF aty afër”, ka thënë Elezaj.

Ai ka premtuar rregullimin e furnizimit me ujë të pijshëm në qytetin e Klinës.