Arbëri

Kronika zgjedhore / Haskuka premton ruajtjen e trashëgimisë, Vitia spital të ri

Riorganizim të rrugëve e mbrojtje të trashëgimisë kulturore ka premtuar Mytaher Haskuka, kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, derisa kandidati për kryeqytetin ka premtuar spital të ri e investime milionëshe në infrastrukturë

Ndërtimin e një tuneli që lidh rrugën e Prevallës e deri në lagjen Dardania e ka premtuar kandidati për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka. Në një konferencë për media, Haskuka së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë shpalosur programin për infrastrukturë, duke premtuar se do të ruajnë trashëgiminë kulturore të këtij qyteti.

Në ditën e parë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve komunale, Haskuka tha se përmes këtyre projekteve do të krijohen hapësira më të mëdha për këmbësor, biçikleta dhe parkingje më të mëdha.

"Qëllimi i unazës së brendshme është që të riorganizojmë qarkullimin e trafikut, ku ndërlidhet zona periferike e Prizrenit dhe lidhjet e tyre me Prizrenin dhe përmes tranzitit të qytetit në njërën nga këto zona do të rregullohet me këto rrugë të reja. Është riorganizimi i trafikut të brendshëm dhe hapja e rrugëve të reja që disa janë të planifikuara dhe disa janë si projekte ideore... Kjo unazë do të vazhdojë nga rrethi i ri i Arbanës deri te tranziti i ri. Rruga e tranzitit të ri do të funksionalizohet deri te lagjja Dardania. Pas këtyre me hartën zonale është paraparë zgjerimi i rrugës, do të bëhen dy shirita në anë, çështja kyç, lidhja e re për Tetovën do të sjellë trafik në Prizren, por tuneli dhe rruga për Prevallë është e nevojshme për Prizrenin, pasi e sjell në zonë më të madhe turistike", tha ai.

Haskuka, i cili është kryetar aktual i Prizrenit, tha se ky qytet do të ketë afërsisht 700 parkingje.

"Tri gjërat që na duhen që Prizreni me pasë zonën këmbësorike dhe vendet për parkingje dhe e gjithë zona e qendrës të lirohet për këmbësorë dhe biçikleta, është tuneli dhe rregullimi i transportit urban që do të orientohet nga taukbanhanja", tha ai.

Derisa, ministri Aliu ka folur për projektin milionësh që lidh Prizrenin me Tetovën, duke premtuar edhe përkrahje për këtë komunë.

"Është kënaqësi me pa këtë plan në të cilin do të rritet hapësira për qytetarët, këmbësorët, çiklistët dhe ku do të kemi më pak vetura. Do të kthehet kalldrëmi dhe ky përgjithësisht është një plan i cili çon drejt ndotjes më të vogël, hapësirave dhe socializimit më të madh të qytetarëve... Si qeveri në planin tonë kemi paraparë edhe rrugën që lidh Prizrenin me Tetovë, në mes janë bjeshkët e Sharrit, ne parashohim se kjo pjesë e Prizrenit të ketë synim edhe turistik. Prandaj edhe rruga përmes do të sjellë zhvillim ekonomik", tha ai.

Fushatën zgjedhore për raundin e dytë e ka hapur edhe kandidati për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia. Ai së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e krerë të tjerë institucionalë nga sheshi “Zahir Pajaziti”, kanë premtuar ndryshime për kryeqytetin.

“Na duhet një qytet ku kjo peshë e pasuri na shfaqet nga agimi e deri në mbrëmje, gjallëria universitare e rinore duhet të ndihet në të gjitha dimensionet e jetës”, ka deklaruar Kurti.

Derisa, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë tubimit politik për të bërë hapjen e fushatës së kësaj partie në përkrahje të Vitisë, tha se me VV-në në krye te Komunës, në Prishtinë do të ndalet krimi në urbanizëm.

“Arben Vitia është i Prishtinës, jeton në Prishtinë dhe e ka Prishtinën në zemër e do t’ua kthejë të gjithëve Prishtinën”, tha Konjufca.

E vetë kandidati për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka shpalosur programin e tij qeverisës, ku ka premtuar ndërtimin e 5 çerdheve, ndërtimin e një spitali të ri e investime në infrastrukturë.

“Do të jem gjithmonë këtu duke punuar për qytetin, për qytetarët bashkë me qytetarët, për lagjet e për fshatrat në të cilat do të investojmë e zhvillojmë gjithandej Prishtinën tonë”, ka deklaruar Vitia.

Fushatën për zgjedhjet e 14 nëntorit, Lëvizja Vetëvendosje e ka hapur zyrtarisht edhe në Gjilan, Fushë-Kosovë, Gjakovë... Ky subjekt politik garon me kandidatët e saj në 12 komuna të Kosovës.