5 perditesime
13:49

Rama: Kërkimfalja e Serbisë ndaj Kosovës duhet të vijë në fund e jo në fillim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Ballkani i Hapur ka qenë i domosdoshëm shumë kohë më parë, ndërsa ka përmendur rastin e Francës dhe Gjermanisë.

Ai ka insistuar se Ballkani i Hapur është në fakt Procesi i Berlinit por i marrë në zotërim nga vet shtetet për të bërë realitet ato që në Procesin e Berlinit mbetën deklarata.

“Kjo nismë ka qenë e domosdoshme kohë më parë. Kur e kuptuam shumë shpejt se Procesi i Berlinit ishte i destinuar të kthehej në një proces samitesh e deklaratash pa pasojë të drejtpërdrejtë, zbatimin e atyre që thuash. Ballkani i Hapur ka një vizion qind për qind të Procesit të Berlinit, një kornisë qind për qind të atij Procesi dhe një set kriteresh të njëjta. Ballkani i Hapur është Procesi i Berlinit por i marrë në zotërim nga vet ne për të bërë realitet ato që në Proces të Berlinit mbetën në kuadër të deklaratave. Nuk është proces personash”, ka thënë Rama.

Sa i përket kërkimfaljes së Serbisë për krimet e bëra në Kosovë, Rama ka thënë se kjo duhet të ndodhë, porse duhet të ndodhë në fund të marrëveshjes, ndërsa e ka marrë shembull situatën mes Francës e Gjermanisë.

“Ballkani i Hapur nuk interferon në dialogun e domosdoshëm mes Kosovës e Serbisë, por e lehtëson atë. E bën atë që ka bërë një proces i ngjashëm pas Luftës së Dytë Botërore mes Gjermanisë e Francës. Keni dëgjuar që shpesh thuhet se Serbia duhet të kërkojë falje. Unë jam dakord që duhet të kërkojë falje. Kërkimi i faljes nga Serbia është kapaku që i duhet vënë përfundimisht një dialogu që duhet zgjidhur gjitha çështjet e duhet të japë zgjidhje njohjes së Kosovës nga Serbia. Por ku dalloj unë me ata që më vënë përpara faljen duke thënë sesa tradhëtar jam. Falja vjen në fund dhe nuk mund të vijë në fillim. Nuk ka ardhur kërkim falja e Gjermanisë në vitin 1945, por më 1969. Gjermania e Franca e kanë filluar saktësisht siç po ndodh në Ballkan të Hapur. Me marrëveshje ekonomike, traktatin e qymyrit e çelikut, shkëmbimin e njerëzve, të rinjve e kështu me radhë. Në këtë mënyrë krijohet atmosfrë tjetër dhe komunikim që krijon procesi”, tha Rama.

Rama ka shtuar e është e sigurt se Ballkani i Hapur sjell vetëm të mira.

“Ta refuzosh këtë proces do të thotë t’i mohosh vetes, vendit tënd, popullit tënd të mirat që sjell procesi”, tha ai.

13:39

Sipas Ramës, Kosova duhet ta testojë vullnetin e Serbisë duke u bërë pjesë e Ballkanit të Hapur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se deklaratave dhe sinqeriteti i liderëve apo politikanëve testohet në provë në realitet.
Në pyetjen nga gazetarët se si mendon se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do t’i mbajë fjalët për Kosovën, kur boksierëve nga Kosova iu mohua pjesëmarrja në Botërorin që po mbahet në Beograd.

Rama ka thënë se kjo deklaratë e Vuçiqit se Kosova e gjitha shtet janë të mirëpritura në Ballkanin e Hapur, testohet vetëm nëse Kosova i bashkohet nismës.

“Sinqeriteti i të gjitha deklaratave të liderëve apo politikanëve testohet në provën e realitetit. Pra, sot presidenti i Serbisë, më hapur se asnjëherë tjetër, e tha se mirëpret Kosovën, njëjtë si dy vendet tjera në këtë nismë. Do të thotë që kjo deklaratë testohet vetëm nëse Kosova vjen në këtë nismë”, tha Rama në pyetjet e marra nga gazetarët shqiptarë.

Rama ka thënë se Ballkani i Hapur ka qenë i domosdoshëm shumë kohë më parë, ndërsa ka përmendur rastin e Francës dhe Gjermanisë.

12:36

Vuçiq: Marrëdhëniet me Prishtinën i zgjidhim me dialog, Ballkani i Hapur është tjetër gjë

Presidenti i Serbisë, Alekandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do t’i zgjidhë marrëdhëniet me Kosovën nëpërmjet dialogut Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Por Vuçiq ka thënë se iniciativa Ballkani i Hapur është tjetër gjë dhe kushdo që dëshiron të bashkohet është i mirëpritur.

“Ne u kemi hapur dyert si Prishtinës, Podgoricës e Sarajevës, por nuk më shkon në mendje që t’i arsyetohem dikujt, qoftë BE-së apo dikujt nga rajoni. A e dini sa punë kemi përpara ne tri shtetet, por a e dini sa benefite do t’i kemi kur të implementojmë këtë marrëveshje”, tha Vuçiq në konferencë në Beograd. “Marrëdhëniet tona me Prishtinën do t’i zgjidhim me dialog, pasi kemi qëndrime të ndryshme, por Ballkani i Hapur është diçka tjetër. Kushdo që është i interesuar është i mirëpritur”.

12:05

Rama: Serbia shembull, ka tërhequr shumë investues të huaj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se e merr Serbinë si shembull se ka tërhequr shumë investues të huajë.

Ai në Beograd ka thënë se përfituesit më të mëdhenj të Ballkanit të Hapur, janë qytetarët, bizneset, punonjësit, fabrikat e studentët.

“Sot për dallim nga takimet tjera, fokusi ishte për qytetarët, bizneset, punonjësit, fabrikat, studentët, të cilët janë përfituesit kryesorë të Ballkanit të Hapur. Të gjithë vuajnë sot, qoftë nga pritjet në kufi apo kontrollet e ndryshme. Ndihem mirë, pasi thelbi i kësaj iniciative është që ekonomitë tona të rriten. Serbinë e marrë si shembull, pasi ka tërhequr shumë investues të huaj. Sot kemi pasur mundësinë të takohemi e t’i dëgjojmë bizneset nga vendet pjesëmarrëse, na dhanë përkrahje dhe kërkuan nga ne që t’ua mundësojmë lirinë e lëvizjes nëpër kufi”, tha Rama.

Rama ka thënë se BE-ja duhet të afrohet me rajonin.

“Kemi takuar edhe Këshillin Atlantik, kanë ardhur nga Washingtoni që të na përkrahin. Presim të shohim. Të marrë qëndrim të përbashkët kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian. Nuk heqim dorë që shtetet tona t’i ndërtojmë me standardet e BE-së, por në anën tjetër vetë BE-ja duhet të marrë iniciativë që të afrohet me rajonin”, tha Rama.


Rama: Gjitha bizneset do të duan të jenë pjesë e këtij rrjeti, edhe ato të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se gjitha bizneset do të duan të jenë pjesë e këtij rrjeti, përfshirë edhe ato të Kosovës.

“Nuk duan të kuptojnë ose nuk po e kuptojnë se Ballkani i Hapur është i hapur. Asnjë nga ne nuk do të presë që vendet tjera të binden. Kam dëgjuar arsyet nga Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova dhe me të vërtetë më vjen keq për atë që dëgjoj. Bizneset e vendeve të rajonit, madje edhe të Kosovës do të na pyesin se si të bëhen pjesë e këtij rrjeti, pra para se qeveritë e tyre të vendosin të bëhen pjesë e iniciativës”, ka thënë Rama.


Rama: Numri i turistëve serbë në Shqipëri është rritur për 63%

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur edhe për rritjen e numrit të turistëve serbë në Shqipëri. Ai thotë se beson se ky numër do të rritet edhe mëtej.

“Numri i turistëve serbë në Shqipëri për 63 për qind, e nga Maqedonia për 27 për qind. Besoj se do të rritet ende ky numër. Kjo ndikon në rritje ekonomike. Nga janari kemi lehtësime sa i përket qarkullimit dhe pritjeve në kufi”, tha Rama.


Dimitrov: Bashkëpunimi rajonal zgjedhje e guximshme dhe e duhur

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, ka vlerësuar se bashkëpunimi rajonal është një zgjedhje e guximshme dhe e duhur.

Ai ka folur edhe për situatën politike në Maqedoni.

“Bashkëpunimi rajonal është zgjedhje e guximshme, e duhur dhe evropiane. Në Maqedoni situata politike nuk është e lehtë, por megjithatë nuk mund t’ia lejojmë vetes të mungojmë në një iniciativë kaq të rëndësishme”, ka thënë Dimitrov. “Sa më mirë që bashkëpunojmë në rajon, do të mund t’i bindim të tjerët që nuk jemi rajon i problemeve, por që japim zgjidhje”.

Ai ka shtuar se Ballkani i Hapur nuk është alternativë e proceseve integruese evropiane, por është bashkëpunim rajonal.

11:58

Vuçiq: Ballkani i Hapur do të mundësojë lëvizjen e lirë pa pengesa deri në Tiranë e Shkup

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me inicativën Ballkani i Hapur do të mundësohet lëvizja e lirë nga Beogradi në Tiranë e Shkup.

“Nuk do të ketë as kufi e asnjë pengesë. Pa asnjë kufi deri në Tiranë e Shkup. Qytetarët do të kenë jetë më të mirë dhe bizneset kushtet më të mira”, ka thënë Vuçiq në prononcim për media pas takimit të sotëm për “Ballkanin e Hapur:”.

Ai ka thënë se mbledhja e radhës do të jetë në Tiranë në dhjetor dhe do të nënshkruhen shumë marrëveshje e memorandume.

“Ballkanin e Hapur e konsiderojmë një iniciativë të jashtëzakonshme dhe është bërë për njerëzit që jetojnë në secilin prej qyteteve tona. Ne kemi rënë dakord të formojmë një këshill zbatues, i cili do të ketë takime me inspeksionet në shtatë deri në dhjetë ditët e ardhshme për të rënë dakord për lëvizjen e lirë të mallrave e shërbimeve. Ata presin nga 24 deri 30 orë në kufi, megjithëse gjithçka është e organizuar në detaje me këtë marrëveshje. Ekonomia jonë varet nga kjo”, tha Vuçiq. “Duke vepruar kështu, ne forcojmë ekonomitë tona, nuk prekim të drejtat e shteteve ekzistuese dhe ua mundësojmë qytetarëve tanë një jetë më të mirë dhe biznesmenëve të punojnë shumë më mirë. Ne duhet të luftojmë për një rritje më të lartë dhe të luftojmë për gjithçka që do t’ua mundësonte njerëzve tanë për të përparuar më shpejt”.

Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë tri shtetet që janë dakorduar për inicativën Ballkani i Hapur.

“I kemi prekur të gjitha çështjet. Jemi pak të frustruar, sidomos unë, kur nuk përmbushen ato që jemi marrë vesh, pasi kjo nuk është politikë, kjo është rrëfim për qytetarët, për bizneset, është rrëfim fantastik”, ka thënë Vuçiq.

09:41

Vuçiqi pret Ramën e Dimitrovin: Ballkani i hapur, vendim historik

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur sot kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rma dhe zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimirov, në kuadër të iniciativës “Open Balkan”.

Në një postim në Instagram, Vuçiqi ka shkruar se “Open Balkani është vendim historik”.

Sipas agjendës, Vuçiqi, Rama e Dimitrovi fillimisht do të mbajnë takim me biznese nga këto vende, ndërkohë në orën 11:30 është paralajmëruar konferencë e përbashkët.

Një natë më herët, në darkën zyrtare, atyre u është bashkuar edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, që qëlloi për vizitë zyrtare në këtë vend. Ai ndër të tjera tha se “nuk është kundër iniciativave të dobishme për rajonin”.

Deri më tash, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova kanë refuzuar të bëhen pjesë e kësaj iniciative.

Njëri nga nismëtarët e këtij procesi, Zoran Zaev, nuk po merr pjesë në takimin e sotëm në Beograd, pasi dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Maqedonisë dhe kryetari të partisë së tij, pas humbjes në zgjedhjeve lokale. Në vend të tij, Maqedoninë po e përfaqëson zv.kryeministri Dimitrov.