Arbëri

Haxhiu nuk tërhiqet: Sistemi prokurorial po reziston kundër kërkesave për shtetin e së drejtës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk është tërhequr nga përplasja e kësaj ministrie me Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ka disa ditë që raportet mes dy institucioneve janë ngrirë. KPK-ja ka shprehur rezerva për bashkëpunimin me MD-në duke kërkuar tërheqjen e deklaratave të zëvendësministrit Blerim Sallahu se ka prokurorë të involvuar në veprimtari kriminale.

E Haxhiu, në emisionin “Desku” në KTV, ka thënë se sistemi prokurorial në vend po reziston kundër kërkesave për shtetin e së drejtës.

“Është hera e parë që kemi raport të ngrirë të sistemit prokurorial me ministrinë e Drejtësisë. Konsideroj se është hera e parë kur Qeveria është në kundërshtim edhe me sistemin prokurorial sepse nëse ne jemi duke u angazhuar maksimalisht për shtetin e së drejtës, në anën tjetër kemi njëfarë rezistence kundër kërkesave të vazhdueshme për shtetin e së drejtës. Si ministri, s’do t’i mbyllim sytë asnjëherë kur shohim skandalet që i shohim brenda institucioneve. Në të kaluarën ka ndodhur që ministrat e drejtësisë i kanë shfrytëzuar këto këshilla si departamente të ministrisë. As ata s’ua kanë prishur ministrave, e as ministrat atyre. Në kuptimin ‘s’të nguci, mos më nguc’. Tash është ndryshe”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka refuzuar të tërhiqet nga qëndrimi i zëvendësministrit duke thënë se “kriminelë mund të ketë në Prokurori, në Qeveri e në të gjitha institucionet”.

“Besoj që jemi dëshmitarë të gjithë që kohët e fundit ka pas skandale të shumta kur është dëshmuar që edhe vetë ata që duhet të ndjekin krimin janë pjesë e krimit”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, deklaratat e zëvendësministrit s’janë arsye për pezullim të bashkëpunimit.

“E kanë problemin kryesor me reformat në drejtësi”, ka vazhduar Haxhiu.