Arbëri

Gastronomët e quajnë të palogjikshëm vendimin për ndalje të muzikës në orën 21:30

Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomisë të Kosovës, e ka quajtur të palogjikshëm masën e fundit të marrë nga Qeveria e Kosovës për ndalje të muzikës në orën 21:30 nëpër lokale, ndërkohë që puna e tyre mund të vazhdojë “në qetësi” deri në orën 23:00.

Zuka në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se kjo është pika e masave që prek më së shumti gastronomët.

“Është vendim i palogjikshëm. Ndejat mund të organizohen dhe janë organizuar edhe prej orës 6 e 7. Pra është njësoj si të organizohen prej orës 7, si prej orës 9, ky është problemi”, ka thënë Zuka.

Ai ka thënë se gastronomët kanë bërë mjaft në këtë pandemi për të ruajtur shëndetin e qytetarëve, por edhe janë dëmtuar shumë.

“Ne deri më tash kemi respektuar çdo masë të Qeverisë. Edhe u kemi bërë thirrje pronarëve të lokaleve. Po ashtu jemi ndër bizneset e para që kemi vaksinuar stafin për të vazhduar punën. Po ashtu, këto kërkesa që po i bëjmë sot nuk i kemi bërë në kulmin e pandemisë, na kanë mbyllur sa herë kanë dashur”, ka thënë ai.

Masat e fundit të Qeverisë për mbrojtje nga COVID-19 kanë hyrë në fuqi të shtunën.


Zuka: Të shtunën dakordohemi për hapat e ardhshëm nëse Qeveria s’i përfill kërkesat tona

Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve ka thënë se arsyeja e rritjes së numrit të të infektuarve ka qenë fushata zgjedhore e pastaj edhe ardhja e diasporës.

Sipas tij, lokalet gjatë verës kanë punuar në tarraca.

Zuka ka thënë se në periudhën aktuale është gjendje tjetër pasi sipas tij ka më shumë të vaksinuar.

“Duhet të ketë kontroll, ne nuk kemi qenë kurrë kundër kontrolleve. Ne kemi thënë që edhe ata që nuk i përmbahen thirrjeve të përjashtohen nga shoqata. Sot në takim ka pasur ideja të ndryshme si ajo për protesta ma masovike, ide tjetër ka qenë edhe heqja e arkave fiskale. Ne kemi mund të bëjmë protesta por kemi dalë me vetura. Ne po duam të punojmë, por me vendosje të rregullave. Nuk ka më logjikë prerja e orarit të punës e as ndalja e muzikës. Ne kemi shpresë për takim me Qeverinë e Kosovës. Po presim me reflektu në këto dy kërkesa elementare, muzika dhe shfrytëzimi i hapësirave të brendshme për 70 për qind. Gjatë javës po presim përgjijge nga Ministria e pastaj të shtunën marrim takohemi për hapat e ardhshëm”, ka thënë ai.