Arbëri

​Qeverisë i bëhet thirrje që me dialog ta bindë BE-në që vetingu është zgjidhja e vetme

(KosovaPress) - Qeveria e Kosova duhet ta nisë një dialog me Bashkimin Evropian për ta bindur se procesi i vetingut është forma më e mirë për të siguruar një performancë më të mirë, transparencë dhe përgjegjshmëri më të lartë nga institucionet e drejtësisë.

Kështu po vlerëson shoqëria civile në Kosovë e cila thotë se kritikat e Raportit të Progresit për vetingun kanë ardhur për shkak se Kosova ka dështuar t’ia dëshmojë BE-së se procesi i vetingut është reformë e nevojshme pasi mekanizmat ekzistues nuk kanë funksionuar.

Në anën tjetër nga Ministria e Drejtësisë thonë se ky komunikim nuk ka munguar dhe se Raporti i Progresit nuk e mbështet aspektin e vetingut të njëhershëm, gjë të cilën sipas tyre as vetë koncept-dokumenti për vetingun nuk e ka paraparë.

Njomza Arifi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se procesi i vetingut në Kosovë duhet të përfshijë edhe partnerët strategjikë të Kosovës.

Madje sipas saj asnjë hap në drejtim të procesit të vetingut nuk duhet të ndërmerret pa u siguruar që këto reforma të thella në drejtësi janë të përfshira në pakon e zgjerimit të Kosovës.

“Për ne si organizatë vetingu mbetet reforma kryesore dhe më e domosdoshme. Ky vlerësim i Komisionit Evropian ne konsiderojmë që vjen si pasojë e mungesës apo dështimit të Qeverisë që të arrijë një pajtueshmëri me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë përfshirë edhe BE-në që procesin e vettingut ta plasojë si një reformë e nevojshme pasi që mekanizmat ekzistues në fakt nuk kanë funksionuar. Konsiderojmë që procesi i vetingut nuk duhet të jetë një proces i cili bartet vetëm nga Kosova duhet të jetë proces që kërkon përfshirjen substanciale të partnerëve tanë strategjikë, pa përfshirjen e tyre ne konsiderojmë se një proces i tillë nuk mund të gëzojë kredibilitetit që ne synojmë. Ne mendojmë që Ministria e Drejtësisë por edhe Qeveria e Kosovës nuk duhet të ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim pa u siguruar që reforma e thellë në sistemin e drejtësisë të jetë i përfshirë në pakon e zgjerimit të Kosovës. MD dhe Qeveria duhet të arrijnë të bindin bashkësinë ndërkombëtare në këtë rast BE që procesi i vetingut është reforma më e duhur në këtë moment dhe një gjë e tillë mund të bëhet vetëm përmes një dialogu të strukturuar mes qeverisë dhe BE-së“, tha ajo.

Se Kosova duhet të zhvillojë dialog me BE-në për procesin e vetingut e thotë edhe Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Zekaj thotë se kritikat e Komisionit Evropian për procesin e vetingut më shumë i shohin si mungesë e komunikimit me Bashkimin Evropian dhe ministrisë së Drejtësisë për t’u treguar se Kosova ka kapacitete dhe plan për ta zhvilluar këtë proces. Sipas tij Qeveria e Kosovës duhet t’ia bëjë të qartë BE-së se vetingut është alternativa e vetme për ta ngritur integritetin në sistemin e drejtësisë.

“Kritikat tek Raporti për Kosovën për procesin e vetingut më shumë i kemi parë si një mungesë e dialogut të Ministrisë së Drejtësisë me faktorin ndërkombëtar me këtë rast me Zyrën e BE-së dhe ambasadat tjera mike në Kosovë për të shpjeguar se MD ka koncept të qartë për vetingut, se MD-ja ka kapacitete profesionale për të realizuar një proces të tillë dhe si duket kjo ka munguar në këtë proces gjatë këtij viti për ta dëshmuar tek faktori ndërkombëtar dhe faktori ndërkombëtar e ka marr si breng se nëse zhvillohet një veting i përnjëhershëm do të mund të cenohet siguria juridike për këta gjyqtarë dhe prokurorë. Derisa kanë gjetur se ka mungesë të integritetit atëherë ne vlerësojmë që veting është pa alternativ duhet të jetë i pashmangshëm duhet të jetë një veting i thellë në sistemin e drejtësisë. Por është detyrë e MD që t’ia bëjë të qartë Bashkimit Evropian këtë nevojë që t’ia bëjë të qartë BE se nuk ka alternativë tjetër për ta ngritur integritetin e sistemit të drejtësisë”, tha Zekaj.

E në Ministrinë për Drejtësi shprehen se Raporti i Progresit është vetëm kundër vetingut të njëhershëm, qasje të cilën sipas tyre nuk e ka rekomanduar as koncept-dokumenti mbi procesin e vetingut tashmë i miratuar edhe nga Qeveria e Kosovës.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala tha se vetëm përmes procesit të vetingut Kosova mund t’i adresojë të gjitha kritikat e Raportit të Progresit që ka ndër vite për sistemin e drejtësisë.

Lidhur me kërkesën e shoqërisë civile që të vazhdojë një dialog me Bashkimin Evropian për ta bindur për procesin e vetingut, Shala tha se BE ka qenë gjithmonë e përfshirë në draftin e koncept-dokumentit për vetingun.

“Për sa i takon procesit të vetingut raporti shprehet vetëm për vetingun e njëhershëm që nuk është realisht qasja që ka rekomanduar koncept-dokument mbi zhvillimin e procesit të vetingut. Në anën tjetër Raporti i Progresit evidenton probleme të vazhdueshme sa i takon funksionimit të sistemit të drejtësisë i referohet si sistem në fazat e hershme drejtë zhvillimit të një sistem mirë funksional. Një zgjidhje karshi këtij ngërçi sistematik në sistemin tonë të drejtësisë është ndërmarrja e procesit të vetingut. Përgjatë gjithë fazave të hartimit të këtij koncept dokumenti kemi qenë në kontakt me zyrën e BE-së në Prishtinë por edhe me Brukselin, i kemi informuar kohë pas kohe për zhvillimet në fjalë u kemi dërguar draftin e koncept-dokumentit për ta shikuar dhe për ta marr mendimin e tyre dhe realisht janë shprehur në faza të ndryshme mbi këtë dokument. Çështja është se raporti i Progresit në mënyrë sistematike sistemi nuk po funksion sistemi është fazat e hershme sistemi është i ndikuar dhe i ngadalshëm sistemi nuk është efecientë dhe një zgjidhje kundrejt këtyre pohimeve është procesi i vetingut”, u shpreh Shala.

Raporti i Progresit ka paraparë që vetingu të jetë masa e fundit për të matur integritetin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa kanë bërë thirrje për zbatim të masave të tjera në këtë aspekt.

Por, zëvendësministrja e Drejtësisë për KosovaPress thotë se po të kishte sistem të vlerësimit siç duhet nuk do përfundonte Kosova me këtë gjendje të rëndë të sistemit të drejtësisë.

Sipas saj edhe grupi punues që është marr me hartimin e koncept-dokumentit për vetingun nuk ka paraparë fuqizim të mekanizmave të tjerë por ka këshilluar të shkohet tutje me hapat për procesin e vetingut.