Arbëri

Shoqata e Gastronomëve kundër masave të reja anti-COVID

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës përmes një njoftimi ka kundërshtuar masat e reja kundër COVID-19, duke thënë se kërkesat e tyre kanë qenë që të punohet sipas rregulloreve komunale, që muzika të jetë në proporcion me këtë orar, si dhe kufizimi i lëvizjes të hiqet.

“Nuk është hera e parë që ky lloj i masave të merret nga Qeveria e Kosovës. Ky model është marrë edhe në Qeverinë e kaluar, i cili është dëshmuar se ishte i pakuptimtë dhe jo efektiv. Kërkesat tona kanë qenë që të punohet sipas rregulloreve Komunale, që muzika të jetë në proporcion me këtë orar, dhe ora policore të hiqet. Masat nuk kanë kuptim që të kufizojnë veprimtaritë biznesore, por të stimulojnë vaksinimin e popullatës, si zgjidhja e vetme për daljen nga kjo krizë. Përderisa i lejojmë të hyjnë vetëm personat e vaksinuar dhe ata që ofrojnë dëshmi, pse të mos punojmë me kapacitete të plota?!”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, Shoqata e Gastronomëve ka bërë të ditur se ka ftuar mbledhje të jashtëzakonshme të anëtarëve të saj të hënën nga ora 14:00.

Sipas masave të reja të miratuara nga Qeveria, që hyjnë në fuqi nga sot, kufizimi i lëvizjes është zgjatur deri në orën 00:00, kurse gastronomisë do t’i lejohet aktiviteti deri në orën 23:00.