Arbëri

Presidentja kritikohet për kundërpërgjigjen ndaj vlerësimeve të Raportit të Progresit

I papranueshëm është duke u vlerësuar reagimi i presidentes Vjosa Osmani ndaj disa gjetjeve të raportit të Komisionit Evropian për Kosovën. Nga shoqëria civile thonë se institucionet duhet të punojnë në adresimin e kritikave të adresuara nga BE-ja, e jo në kundërpërgjigje ndaj tyre. Presidentja është kritikuar edhe nga opozita, derisa në mbrojtje i ka dalë pushteti.

Mospajtimet me disa prej konstatimeve në raportimin e Komisionit Evropian, presidentja Vjosa Osmani, zgjodhi që t`i adresojë përmes një konference për media.

Në deklarimin e saj, një ditë pas pranimit të raportit, Osmani kritikoi institucionet e BE-së për vlerësimet e dhëna, duke u fokusuar në ato që lidhen me sundimin e ligjit.

Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare ÇOHU, thotë se është e papranueshme një sjellje e tillë, e që sipas tij mund të ketë pasoja.

“Nëse ata kanë ngritur ndonjë çështje që nuk ekziston duhemi me u ulë me ta me dhe të diskutohet e të sqarohet, por nuk duhet të kemi një qasje të tillë sepse kjo mundet me ndiku në një acarim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Bashkimin Evropian, edhe ashtu nuk janë aq të mira, sepse jemi i vetmi vend pa liberalizim vizash. Kjo mundet me pas pasojë që acarohen marrëdhëniet dhe e pengon procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, deklaron Demhasaj.

Duke folur për kritikat që BE-ja ka bërë për vettingun, Demhasaj vlerëson se për një gjë të tillë nuk i takon të deklarohet presidentja, pasi procesi nuk ka arritur ende tej ajo.

E nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë pranuar ta komentojnë këtë çështje.

Por, reagimi i presidentes, sipas shefit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, është bërë për shkak të barrës që ka nga shkeljet e bëra e të evidentuar në Raportin e Progresit.

“Konstatimi se të gjithë mekanizmat e tjerë institucionalë janë të dështuar, për çfarë vetingu është domosdoshmëri, është jo vetëm konstatim i pasaktë, por edhe i turpshëm dhe dëm i madh në pasqyrimin e realitetit të vendit në krye të së cilit, ajo e mban pozitën e presidentes. Pak muaj u deshën për ta parë qartë, dështimin e mazhorancës së Vjosës dhe Albinit që të sjellin ide konkrete e të qëndrueshme për vetingun, gjë që dëshmon paaftësinë e tyre për ta realizuar një proces të tillë”, ka thënë ai.

Tahirit i është kundërpërgjigjur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Në Ministri të Drejtësisë, çdo ditë identifikojmë të metat e Tahirit, dhe është për keqardhje të jesh ministër i Drejtësisë dhe të mos mbahesh në mend qoftë edhe për një punë të mirë. Përndryshe ne do të vazhdojmë punën e mirë që kemi nisur drejt materializimit dhe finalizimit të procesit të vetingut, duke ndjekur rekomandimet e këtij koncept-dokumenti dhe gjithashtu, duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar dhe të gjithë ata që e duan shtetin e së drejtës!”, ka shkruar ajo në Facebook.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se reforma në drejtësi duhet të bëhet në partneritet me ShBA-në e BE-në.

“Reforma në drejtësi duhet të jetë e vazhdueshme dhe institucionale, në partneritet me SHBA dhe BE. Sistemi i drejtësisë është vlerë universale dhe çdo tendencë për shfrytëzim të të njëjtit për përfitime të brendshme partiake nuk duhet të tolerohet. Sistemi i drejtësisë duhet të fuqizohet përmes reformës, por jo me shkarje për emërime politike”, ka deklaruar Haradinaj.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën u është dorëzuar krerëve të shtetit të martën nga shefi i BE-së, Tomas Szunyog. Në këtë raport është evidentuar se Kosova ka ngecur në disa fusha, derisa me theks të veçantë kritikohet qasja e institucioneve ndaj procesit të vettingut.